
TIRANË- Dy ditë më parë Gjykata e Lartë vendosi ndryshimin e vendimit të Apelit duke ia kaluar SPAK-ut shqyrtimin e çështjes se 21 Janarit. Tashmë pritet që SPAK të regjistrojë çështjen dhe të caktojë edhe prokurorin që do të hetojë ngjarjen ku humbën jetën 4 protestues të Partisë Socialiste. Mirëpo organi i posaçëm i akuzës do të duhet të presë vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë për të regjistuar kallëzimin e bashkëshortes së Aleksa Nikës, Rajmona Nika.
Së bashku me vendimin SPAK pret të administrojë edhe fashikullin e rekursit që u shqyrtua në Gjykatën e Lartë përfshi vendimet e dy gjykatave që kishin konsideruar se çështja duhej hetuar nga prokuroria e Tiranës.
Mbas këtij momenti, ku do të kuptohen detyrat që kanë lënë gjyqtarët e lartë për prokurorët e posaçëm, do të vendoset nëse do të tërhiqet i gjithë fashikulli nën hetim pranë prokurorisë së kryeqytetit apo si fillim do të regjistrohet procedim vetëm ndaj ish funksionarëve që për shkak të cilësive të tyre janë subjekt i SPAK dhe më.
Deklarata e Rajmona Nikës
Në prononcimin e saj të parë për mediat, fill pas seancës dy ditë më parë, Rajmonda tha se ajo dhe familjarët e viktimave të 21 janarit kanë kallëzuar gjithë zinxhirin komandues duke nisur nga kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha dhe më pas të gjithë zinxhirin e Gardës. Po ashtu, bëri me dije se në SPAK do të dorëzojnë edhe audion e plotë që kanë siguruar nga momenti i të shtënave në Bulevard. Për ngjarjen e 21 janarin drejtësia ka shpallur fajtor Ndrea Prendin dhe Agim Llupon si autorë të vrasjes së Ziver Veizit dhe Faik Myrtaj. Ndërsa Strasburgu ka urdhëruar gjithashtu hetime të gjithanshme të “21 janarit”. /ZËRI