
DURRËS- Vrasja e Pëllumb Metës është ende e pazbardhur, ndaj edhe Prokuroria ka vendosur që të kryejë një eksperiment hetimor për të zbuluar se kush ishte personi që tërhoqi këmbëzën. Kështu që të 3 fëmijët dhe gruaja e të ndjerit janë dërguar në një poligon qitjeje për të provuar se dinë të shkrepin një armë zjarri dhe të qëllojnë 4 herë me të. Nga ky eksperiment ka "dalë me sukses" vetëm Hygerta, e cila ka arritur të qëllojë, ndërsa Blerina dhe dy djemtë, Hyseni dhe Amarildo raportohet se kanë refuzuar të kryejnë qitje. Hetuesit besojnë se të katërt anëtarët e familjes dinë të qëllojnë me armë.
Ndërkohë grupi hetimor ka dërguar Hygerta Metën, vajzën e Pëllumb Metës, e cila dhe ka marrë përsipër krimin në vendin e ngjarjes. Por kjo e fundit nuk ka dhënë detaje para hetuesve sa i përket dinamikës së ngjarjes duke preferuar të heshtë. Ndërsa ajo pritet që të hapë dhe njëherë gropën ku u varros Meta, që hetuesit të kuptojnë nëse ajo mund ta hapë një grupë 1.5 metra të thellë e vetme. Një tjetër detaj i ri është fakti se në armën e krimit të përdorur për të vrarë Pëllumb Metën, janë gjetur dhe gjurmët e gishtërinjve të djalit të vogël, Amarildos.
Pëllumb Meta u gjet i varrosur në kasollen e bagëtive pranë banesës së tij. Policia thotë se ai u vra nga Hysen Meta që bashkëpunoi me motrën Hygertën për ta kryer krimin. Më pas për të zhdukur trupin ka ndihmuar edhe vëllai tjetër, Amarildo. Të tre tashmë janë pas hekurave të qelisë në arrest me burg. Ndërkohë mamaja e tyre, Blerina po hetohet në gjendje të lirë. Por është e paqartë se kush e ka tërhequr këmbëzën. Fillimisht vrasjen e mori përsipër Hygerta, por Policia arrestoi edhe të vëllanë e saj Hysenin./ZËRI