
TIRANË- Alfred Dedja, rreth 50 vjeç, u vra sot në Ndroq. Ai njihej me nofkën “Daku” dhe e ndante jetën mes Shqipërisë dhe Italisë. Pikërisht në vendin fqinj, dyshohet se Dedja është përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Ndërsa shtëpinë në Shqipëri e kishte pikërisht në zonën ku u ekzekutua, në Ndroq. Këtë pasdite, Dedja ishte ulur në një nga lokalet më në zë në zonë me disa miqtë e tij, kur brenda në lokal u fut Julian Gjoshi 27 vjeç.
50-vjeçari kur e ka parë, është ngritur dhe është afruar ta përqafonte. Por, në këto çaste, 27-vjeçari e ka qëlluar me dy plumba, pa i folur fare.
Më pas, Julian Gjoshi ka hipur në mjetin “Mercedes Benz”, tip “ML” dhe është larguar në drejtim të Shijakut. 27-vjeçari është në kërkim nga policia.
Pista kryesore e hetimit është prishja e pazareve të drogës. Gjoshi rezulton të jetë kunati i Altin Hajrit, që është në kërkim për pengmarrjen dhe vrasjen e Jani Prengës. Emri i tij ka dalë dhe në dosjen e arrestimit të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja.
Gjoshi përmendet në momentin që vihet në pranga pasi efektivët e policisë i gjejnë një armë zjarri në automjet. Për rrjedhojë, Hajri kërkon ndihmën e Jurgis Çyrbjas për lirimin e Gjoshit.