
TIRANË- Kevin Zeneli alias Kevin Suçi është i shpallur në kërkim si një prej autorëv të të paktën dy krimeve në Shqipëri. 25-vjeçari i lindur në Burrel, e ka ndarë jetën e tij mes Shqipërisë e Belgjikës, por njohja me Kasandër Nogën e ktheu në një vrasës në një moshë relativisht të re. Vetëm 22 vjeç, Zeneli u përfshi në masakrën e Don Boskos, ku mbeti i vrarë Erion Çela si dhe u plagosën katër persona të tjerë: Blerim Çela, Edmond Crroj, Arben Dani dhe Azbi Selimaj.
Por qëllimi s’ishin aspak këta persona. Kasandër Noga duke paguan Zenelin me shifra që varionin nga 50-150 mijë euro synonte të merrte hak dhe të vriste Erion Hasanbellin alias Mikel Rakipllari, Geron Hasanbellin (vëllezër) dhe dy nipat e tyre.
Por, pavarësisht se së bashku me Ilirian Feçin e vëllëzerit Indrit dhe Gentjan Beqiraj, kishin ndjekur e gjurmuar shënjestrat, më 4 janar të vitit 2022, Kevini gaboi! Vëllezërit Beqiraj u tërhoqën nga frika dhe nuk morën pjesë në atentat, kështu që Zeneli ditën e ngjarjes ishte shoqëruar nga dy persona të tjerë që ende nuk janë identifikuar.
Por ky nuk ishte rasti i vetëm.
Kevin Zeneli është paguar edhe për eliminimin e Arben Mërkurit, të njohur ndryshe si “Maneci”.
Arben Mërkuri (Ismaili), i njohur si ‘maneci’ u ekzekutua me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e 18 majit teksa ndodhej në lokalin e tij në qendër të Sukthit. Ai ishte bashkë me djalin e mitur, në momentin që një mjet “Mercedes benz”, tip ‘GLE’ i është afruar dhe personat që ndodheshin brenda kanë qëlluar me breshëri ndaj tij. Dy plumba e kanë kapur 48-vjeçarin në kraharor dhe qafë e kanë bërë që ai të binte në tokë.
Arben Mërkuri ishte një person i skeduar si vrasës me pagesë dhe dyshohet të ketë qenë përfshirë në të paktën 12 ngjarje kriminale, mes tyre dhe në atentatin ku mbeti i vrarë ish-efektivi Ervin Dalipaj e Juxhin Dauti (ish-i fejuari i këngëtares Fjolla Morina).
Por, pavarësisht se rrëfimi i vëllezërve Beqiraj, e nxorri të përfshirë në të paktën dy ngjarje të rënda kriminale, Kevin Zeneli alias Kevin Suçi, vijon të jetë i lirë. Zyrtarisht është në kërkim dhe në të gjitha aksionet që janë zhvilluar për kapjen e tij edhe pas kontrollit të banesës së tij në Burrel, efektivët kanë dalë duarbosh, Dyshimet janë se Zeneli është ndihmuar për tu larguar jashtë Shqipërisë./ZËRI