
TIRANË- Ditën e e djeshme ka dhënë dorëheqjen Komandanti i Përgjithshëm i Gardës së Republikës Gramoz Sako. Burime bëjnë me dije për ZËRIN se Sako e ka dorëzuar dorëheqjen te Ministri i Brendshëm, dorëheqje e cila është pranuar. Mësohet se brenda javës së ardhshme do të propozohet dhe emri që do ta pasojë Sakon në këtë pozicion.
Kjo dorëheqje e Sakos duket se lidhet me planet e Ministrisë së Brendshme për të reformuar institucionin e Gardës së Republikës. Gjatë ditës së sotme, u raportua se një punonjës i gardës ishte përjashtuar për shkak se kishte deklaruar se kishte përdorur sky ecc.
Gardisti i përjashtuar është Adnan Lleshi, i cili në formularin e deklarimit, ka shkruar se nuk ishte në dijeni që ky aplikacion ishte i ndaluar.
Sako e mbante detyrën e Komandatit të Përgjithshëm të Gardës që prej vitit 2013. Sako ka kaluar procesin e Vetingut në vitin 2020, ndërsa rezulton të ketë një karrierë të gjatë në fushën ushtarake.
Fillimisht ai ka mbajtur pozicionin Komandantit të Togës në Gardën e Republikës së Shqipërisë, e duke vijuar më pas me kryerjen e detyrave në funksione si: Zëvendës Komandant Kompanie, Përgjegjës i Grupit të Ruajtjes së Ministrit të Rendit Publik dhe Përgjegjës në Grupin e shoqërimit të Kryetarit të Kuvendit, Shef Seksioni në Drejtorinë e Ruajtjes së Personaliteteve të Larta Shtetërore dhe Specialist në Drejtorinë e Kufijve dhe të Migracionit. Më tej, prej vitit 2009 e në vijim, zhvilloi karrierën në sektorin privat si menaxher projektesh. Me hyrjen në fuqi të ligjit 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, Sako mbante gradën “Drejtues Madhor”.
/ZËRI