
TIRANË- Një argjendari është grabitur në Kamëz. Grabitja ka ndodhur pasditen e sotme, në argjendarinë "Marsi" në bulevardin blu të qytetit, ku autorë dyshohet se kanë qenë 3 persona. Ata kanë marrë disa bizhuteri floriri, të cilat kanë qenë në tavolinë për shitje, por nuk ia kanë dalë që të marrin para nga 'banka' e biznesit "Marsi".
Sipas dëshmisë që ka dhënë punonjësja para efektivëve të Policisë, 3 personat ishin të maskuar dhe me rroba të zeza por vetëm një kishte armë tip kallashnikov dhe morën rreth 1 kg flori nga argjendaria. Po ashtu, ajo ka dëshmuar se nga grabitësit kishte dalluar një dialekt jugor.
Pasi kanë marrë bizhuteritë e vendosura në vitrinë, të gjithë kanë hipur në mjetin që kishin me vete, një BMW të bardhë dhe janë larguar në drejtim të Fushë Krujës. Një tjetër detaj është se targat që kishin vendosur në automjetin tip BMW X6, i përkasin një automjeti tjetër tip Hyundai. Sipas Policisë, këto targa janë kopjuar nga autorët dhe janë vendosur në mjetin e tyre me qëllim për të zhdukur gjurmët teksa largoheshin në drejtim të Laknasit drejt Fushë Krujës, prej edhe nga vinin.


NJOFTIMI I PLOTË:
Më datë 28.11.2023, rreth orës 17:15, në rrugën “Nënë Tereza”, tre persona të maskuar, nën kërcënimin e një sendi të dyshuar si armë zjarri automatik, kanë marrë disa bizhuteri në argjendarinë e shtetases E. S., dhe më pas janë larguar me një automjet tip "BMë". Shërbimet Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pikat e përkohshme të kontrollit në qarqet Tiranë, Durrës, Lezhë, Kukës dhe Shkodër. Për këtë rast është krijuar një grup i posaçëm hetimor me specialistë të strukturave të posaçme të luftës kundër krimeve të rënda. Grupi hetimor mbi bazën e të dhënave të administruara po punon për zbardhjen e dokumentimin e autorësisë të kësaj ngjarje.
Për kapjen e grabitësve, Policia ka ngritur disa pika kontrollli në qarqet Tiranë, Durrës, Lezhë, Kukës dhe Shkodër./ZËRI