
TIRANË- Nëna e Monika Kryemadhit, Fatime është marrë në pyetje për më shumë se 5 orë nga hetuesit në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në fjalën e saj për mediat, teksa del nga ambientet e SPAK, Kryemadhi tha se ishte marrë në pyetje për pasurinë e saj, duke u shprehur se të gjitha i ka të deklarata në bankë, si të ardhura nga pallati që ka shitur. Po ashtu, është shprehur se ajo e ka mbuluar me shpenzimet financiare të të bijës.
Gjithashtu hodhi poshtë pretendimet se sot ishin marrë në pyetje edhe dy vajzat e çiftit Meta, Bora dhe Era.
PJESË NGA PRONONCIMI:
Fatime Kryemadhi: Sqarova për pronat. Unë jam mamaje e Monikës se ju prandaj keni ardhur. Jam krenare për vajzën që kam edhe nuk e mohoj pale sesi. E di pse është kjo punë. Që kur filloi të merrej me djegësat ajo, këta filluan. Do t'ju bëj një thirrje ju gazetarëve, kam shumë respekt, po mos shkruani njerëzit që hedhin para, ose që bëjnë luftë politike. Verifikoni gjërat dhe pastaj. Unë i sqarova të gjitha gjërat e mia. U pyeta për çështjen e shtëpisë, unë nuk isha pa shtëpi. Unë kam punuar gjithë jetën. Për pronën time u pyeta. Unë nuk kam qenë pa punë se më paskan nxjerrë me një pension 160 mijë.
Është sekuestruar celulari?
Fatime Kryemadhi: Po, mirë çfarë ka celulari? Ka ndonjë gjë të veçantë. As kam bërë tendera, as djegsa, as 5D, as 7D.
Po vajzat e zonjës Monika janë pyetur?
Fatime Kryemadhi: Jo, asnjëra, nuk kanë pse të pyeten se i kam mbuluar unë. Me shpenzimet e mia se kam pallatin. Për fëmijët i kam unë, pse për kë i kam lekët? Ja shkoni shihni, të gjitha i kam me bankë. S'ka rëndësi orë kam në SPAK.
Disa ditë më parë, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e ish-kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e cila kërkoi heqjen e sekuestros ndaj telefonit të saj, i cili është marrë gjatë një kontrolli në banesën e një të afërmi të saj. E ëma e zbuloi sot, se kontrolli ka ndodhur në shtëpinë e saj, atje ku edhe është marrë aparati celulari. Njëjtë si e ëma sot, edhe vetë deputetja është shprehur se ky send i është marrë pas nisjes së hetimeve për inceneratorët, duke qenë se Partia e Lirisë ka bërë një sërë denoncimesh publike. Pra gjyqi ka një prapavijë politike, ndërsa kryeprokurori Altin Dumani gjatë një takimi me gazetarët, e cilësoi sekuestrimin e aprovuar nga gjykata “si një mjet për kërkimin e provës”, por nuk dha më shumë detaje. Çifti Meta-Kryemadhi po hetohen për dy çështje, e para për lobim dhe pastrim parash. E dyta është dosja CEZ-DIA./ZËRI