TIRANË- Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar të paplota dy kërkesat e paraqitura nga Partia “Shqipëria Bëhet” dhe Shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, të cilat kundërshtojnë Aktin Normativ për financimin e pjesshëm të organizimit të koncertit të artistit ndërkombëtar, Kanye West në Tiranë, më 11 korrik.
Pas verifikimit paraprak, Gjykata ka konstatuar se kërkesat nuk ishin të shoqëruara me të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga ligji. Për këtë arsye, kërkuesve u është kërkuar plotësimi i dokumenteve brenda afatit 10-ditor të parashikuar nga ligji.
Ditën e djeshme, Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, depozitoi në Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e Aktit Normativ të Këshillit të Ministrave, përmes të cilit është miratuar një fond prej 4 milionë eurosh për kompaninë organizatore të koncertit të këngëtarit Kanye ëest në Shqipëri.
Lapaj ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese pezullimin e çdo veprimi që lidhet me kryerjen e pagesave, ndërsa ka deklaruar se dyshon që fondet mund të jenë kaluar tashmë. Lapaj u shpreh se bëher fjalë për një koncert privat dhe se nuk është gjë e jashtëzakonshme që një koncert të dështojë.
Njoftimi:
Në përgjigje të interesimit tuaj për kërkesat e paraqitura nga Partia “Shqipëria bëhet” dhe Shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, ju njoftoj se në datën 10.07.2026, në Gjykatën Kushtetuese janë paraqitur dy kërkesa me objekt shfuqizimin e Aktit Normativ nr. 3, datë 06.07.2026, “Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare”, si dhe pezullimin e zbatimit të tij.
Gjatë verifikimit paraprak të kërkesave, u konstatua se ato nuk ishin të plota dhe nuk shoqëroheshin me të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga ligji.
Konkretisht, Partia “Shqipëria bëhet” nuk kishte bashkëlidhur aktin e themelimit dhe statutin e partisë, ndërsa Shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” nuk kishte paraqitur dokumentacionin që provon statusin e saj juridik, si dhe aktin e përfaqësimit për avokatët e deklaruar në kërkesë.
Për këtë arsye, të dyja kërkesat janë regjistruar si kërkesa të paplota dhe kërkuesve u është kërkuar të plotësojnë dokumentacionin brenda afatit 10-ditor të parashikuar nga ligji.