
FIER- Prokuroria e Fierit përmes një deklarate lajmëron se janë pezulluar nga detyra kryeinspektori dhe inspektori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Roskovec. Sipas prokurorisë ata akuzohen se lejuan ndërtime të paligjshme.
Sipas njoftimit, Prokuroria gjithashtu, ka arritur të evidentojë faktin se IMT, ka qënë në dijeni dhe ka lejuar kryerjen e punimeve pa leje, në një sipërfaqe rreth 320 m2, mbi tokë bujqësore, për qëllime ekonomike dhe pa lejen e Bashkisë së Roskovecit.
Pas hetimeve, bëhet me dije se kryeinspektori me inicialet E.Ç dhe inspektori me inicialet S.M janë pezulluar nga puna pasi shpërdoruan detyrën.
“Lejuan ndërtime të paligjshme e shpërdoruan detyrën, pezullohen me kërkesë të Prokurorisë Fier kryeinspektori dhe inspektori IMT-së
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier u pezulluan nga detyra shtetasit në hetim, E.Ç, me detyrë Kryeinspektor i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Roskovec, si dhe shtetasi S.M. me detyrë Inspektor pranë IMT-së Bashkia Bashkisë Roskovec. Ndaj tyre u caktua edhe masa “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.
Nga hetimet e kryera nga kjo prokurori, në kuadër të procedimit penal nr.1418, datë 16.09.2024, për veprat penale të dyshuara “Shkelja e rregullave te mbrojtjes në punë”, “Shpërdorimi i tokës”,“Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 289 pg.1 199, 199/a pg.4 dhe 248-25 i K.Penal, rezultoi se shtetasit e mësipërm kanë qenë në dihjeni të kryerjes së ndërtimeve të paligjshme.
Procedimi penal i mësipërm lidhet me ngjarjen e datës 14.09.2024, ku në fshatin Suk-1, Njësia Administrative Strum, Bashkia Roskovec, ka humbur jetën shtetasi S.B., gjatë kohës që ai kryente punime për llogari të shtetasit E.D. Ndaj shtetasit E.D, u caktua më parë masa e sigurimit “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprën penale “Shkelja e rregullave te mbrojtjes në punë”, “Shpërdorimi i tokës”. Krahas këtyre veprave, në dinamikë të hetimit u provua se shtetasi E.D, ka kryer ndërtim pa lejen e organeve kompetente. Për këtë fakt të evidentuar është regjistruar ndaj tij si person nën hetim dhe vepra penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a pg.4.
Prokuroria gjithashtu, ka arritur të evidentojë faktin se Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Roskovec, ka qënë në dijeni dhe ka lejuar kryerjen e punimeve pa leje, në një sipërfaqe rreth 320 m2, mbi tokë bujqësore, për qëllime ekonomike dhe pa lejen e organeve kompetente, në këtë rast Bashkia Roskovec”, njofton Prokuroria. /ZËRI