
TIRANË- Detaje të reja janë mësuar nga vrasja e 48-vjeçarit Lulzim Visha në Zall Mner, Kamëz. Mësohet se arma e zjarrit me silenciator është gjetur një banesën e Ervis Lamit, i cili është i njohur për arratisjen nga burgu i Drenovës. Në momentin e kontrolleve nga Policia, Lami nuk ka qenë në banesë, por një familjar i tij ka hapur derën.
Mësohet se viktima dhe disa anëtar të familjes Lami kanë pasur një sherr, që dyshohet se ka qenë për pronat. Efektivët kanë arrestuar Eduart Lamin, djalin e xhaxhait të Ervis Lamit, i cili ka pasur armën pa leje që është gjetur në banesë.
Lami rezulton se ka dy shtëpi, njëra prej të cilave ishte shtëpi druri, brenda të cilës efektivët kanë parë vrima në mure të shkaktuara me armë zjarri, që të cilat dyshohen se janë shkaktuar, pasi janë provuar armë zjarri të ndryshme. Pasi të gjendet nga policia, Lami pritet të merret në pyetje për vrasjen e rëndë si person që mund të ketë dijeni. Ervis Lami është një emër i njohur për drejtësinë pasi ka qenë bashkëpunëtor në arratisjen 7 të dënuarve nga burgu i Drenovës më 23 nëntorit 2013, në mesin e të cilëve edhe Admir Tafili. Në atë kohë, Ervis Lami deklaroi se plani për arratisjen u thur nga ai dhe Admir Tafili. Ai pranoi se edhe armët në burg i kishte futur vetë, duke marrë përsipër të gjithë skemën.
Lulzim Visha u gjet pa shenja jete dje rreth orës 07:40 të mëngjesit brenda automjetit në në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner. Autorët dyshohet se e nxorën në pritë dhe e qëlluan me pistoletë me silenciator. 48-vjeçari ishte brenda makinës së punës në momentin që u qëllua me armë. Ai punonte si postier në 'Postman'./ZËRI