Aktualitet

Jo 5 vite 'peng' i diplomës/ 'Kushtetuesja' ndryshon pjesërisht ligjin për studentët e Mjekësisë

Pra, neni 4 i ligjit rezulton më i ashpër se sa nevoja dhe kërkohet që të ndryshohet brenda 3 muajve të ardhshëm nga Kuvendi i Shqipërisë.

k.m.
Jo 5 vite 'peng' i diplomës/ 'Kushtetuesja' ndryshon
Foto ilustruese

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin për të ndryshuar pjesërisht ligjin për studentët e Mjekësisë. Në vendimin e marrë sot me shumicë votash, trupa gjykuese ka vendosur që kufizimi me 5 vite për të gjithë të diplomuarit nuk është propocional me afatet e shlyerjes së detyrimeve nga studentët ndaj shtetit. Pra, neni 4 i ligjit rezulton më i ashpër se sa nevoja dhe kërkohet që të ndryshohet brenda 3 muajve të ardhshëm nga Kuvendi i Shqipërisë. 

"Duke u nisur nga premisa që afati 5-vjeçar nuk është proporcional dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen. Gjykata vlerësoi t’i caktojë Kuvendit detyrimin që brenda 3 muajve të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore,"-shkruhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës. 

Parlamenti miratoi më 21 Korrik të vitit që lamë pas projektligjin e qeverisë që do i detyronte studentët e mjekësisë, që pas përfundimit të studimeve, të punonin në vend të paktën për 5 vite. Kjo për të shlyer detyrimet dhe investimin e shtetit tek ta. Duke kundërshtuar vendimin, studentët protestuan dhe bojkotuan mësimin. Një muaj më parë Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e kërkesës për pezullimin e ligjit për studentët e mjekësisë, i cili i detyronte të punonin për 5 vite në spitalet brenda vendit për t’u pajisur me diplomën, os enë të kundërt do t’u duhej të paguanin tarifën e plotë.

Pas afro 6-muajsh protestash në rrugë dhe në intitucione, duke kundërshtuar vendimin e qeverisë që i detyron ata të punojnë për 5 vjet në Shqipëri pas përfundimit të ciklit të studimeve, studentët gjetën mbështetje nga deputetë e opozitës. Ishin deputetët ata që i paraqitën kërkesën Gjykatës Kushtetuese, duke i bërë thirrje qeverisë që që të dëgjojë zërin dhe shqetësimin e studentëve dhe t’i japë zgjidhje kërkesave të tyre. Një prej pikave që studentët kanë mbështetur fort, është ajo se mbajtja për 5 vite peng e diplomës, iu hiqte atyre të drejtën për t’u specilizuar jashtë vendit. Por kjo pikë, tanimë pritet të ndryshohet brenda 3 muajve të ardhshëm.

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në datën 21.12.2023 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues një grup deputetësh të Kuvendit dhe një grup studentësh të Fakultetit të Mjekësisë, me objekt: “Shfuqizimi i nenit 4, pikat 1, shkronja “c”, 2, shkronja “b”, 3, shkronja “b” dhe nenit 5, fjalia e parë, të ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.

Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot, më 25.01.2024, vlerësoi se dispozitat e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, të garantuara nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës. Kufizimi është vendosur me ligj dhe për interes publik, i cili lidhet me detyrimin e shtetit për të garantuar kujdes shëndetësor ndaj shtetasve, të parashikuar nga neni 55 i Kushtetutës. Megjithatë gjatë procesit nuk u provua se kufizimi është proporcional në drejtim të afateve dhe kohëzgjatjes së shlyerjes së detyrimeve për punësim, pasi afati 5-vjeçar i parashikuar nga neni 4 i ligjit rezulton më i ashpër se sa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim. Duke u nisur nga premisa që afati 5-vjeçar nuk është proporcional dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen.

Në kuadër të testit të proporcionalitetit, Gjykata ka konstatuar, gjithashtu, se neni 6 i ligjit ka ometim ligjor. Ometimi ka të bëjë me mungesën e kritereve objektive të punësimit me prioritet, trajtimin financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, sipas nenit 49 të Kushtetutës, si dhe përllogaritjen e periudhës në pritje në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim. Gjykata e analizoi çështjen edhe në këndvështrimin e parimit të sigurisë juridike dhe të barazisë para ligjit.

Masa e pezullimit e vendosur nga Gjykata në datën 14.11.2023 hiqet për shkak të vendimmarrjes së sotme. Duke pasur në konsideratë që, nga njëra anë, ligji në tërësinë e tij duhet të fillojë të prodhojë efekte para përfundimit të këtij vitit akademik, por, nga ana tjetër, dispozitat që duhen shfuqizuar i bëjnë të pazbatueshme marrëveshjet me studentët, Gjykata vlerësoi t’i caktojë Kuvendit detyrimin që brenda 3 muajve të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, vendosi: Pranimin pjesërisht të kërkesës. Shfuqizimin e fjalëve “5 (pesë) vjet” në nenin 4, pika 1, shkronja “b”, “5-vjeçar” në nenin 4, pika 1, shkronja “c”, “3 (tre) vjet” në nenin 4, pika 2, shkronja “a”, “3-vjeçar” në nenin 4, pika 3, shkronja “b”, “2 (dy) vjet” në nenin 4, pika 3, shkronja “a”, “2-vjeçar” në nenin 4, pika 3, shkronja “b”, të ligjit nr. 60/2023. Konstatimin e ometimit ligjor në nenin 6 të ligjit nr. 60/2023 lidhur me mungesën e kritereve objektive të punësimit me prioritet, trajtimin financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, si dhe përllogaritjen e periudhës në pritje në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim. Detyrimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Heqjen e masës së pezullimin të ligjit. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese./ZËRI

Poll

MOS HUMB