SHKODËR-Dy persona janë arrestuar në Shkodër pasi u kapën duke qarkulluar me automjet, me lëndë narkotike të ndarë në doza, e dyshuar e destinuar për shitje. Të arrestuarit Patrik Gjeta, 21 vjeç, dhe Augen Veizi, 20 vjeç u ndaluan Shirokë, ku gjatë kontrollit të automjetit iu gjet një sasi lënde narkotike kanabis e ndarë në doza, një armë e ftohtë (thikë) dhe dy celularë.
Njoftimi i policisë:
Në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Lakeside”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit: P. Gj., 21 vjeç, dhe A. V., 20 vjeç, të dy banues në Shkodër. Këta shtetas u kapën në fshatin Shirokë, duke qarkulluar me automjet, në të cilin, gjatë kontrollit u gjet një sasi lënde narkotike kanabis e ndarë në doza dhe një thikë. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas shitnin lëndë narkotike në doza, në këtë zonë.