SHKODËR- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e dyfishtë që ndodhi të hënën (8 shtator) në Shkodër, ku mbetën të vrarë shtetasit Armando Pali, punonjës i IKMT-së dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër, dhe Liridon Kraja (Lushi) 31-vjeç, ndërsa shënjestër dyshohet se ishte Erogen Vaso (Brajoviç). Policia ka dyshime se autori i vrasjes Ragip Gila, të jetë ndihmuar dhe nga persona të tjerë përveç dy shtetasve të shpallur në kërkim, Barush Bregu dhe një 17 vjeçar.
Pista kryesore në të cilën po heton prokuroria është ajo e larjeve të hesapeve, ndërsa vrasja dyshohet të jetë porositur nga një grup kriminal. Gjatë rrëfimeve të tij në polici, Gila është shfaqur kontradiktor, ndërsa fillimisht kishte deklaruar se vrasjen e kishte kryer për një qejfmbetje personale me Erogen Vason.
Pas vrasjes, hetuesit morën në pyetje Mustafa Licin, i cili u shpreh se banesa ku u gjetën armë dhe municione ka qenë e motrës së tij, por ajo ndodhet jashtë vendit, dhe e kishte dhënë me qera. Sipas Licit, ai disponon dhe një kontratë për dhënien e kësaj banese me qera, dhe pretendon se nuk ka asnjë lidhje me autorin e vrasjes së dyfishtë.
Në një reagim pas ngjarjes, ku mbeti i plagosur rëndë, Vaso tha se nuk kishte konflikte, dhe se ai ishte investuar në botën e biznesit, ndërsa nuk përmendi njohje të mëparshme me Gilën.
Gila u arrestua gjatë një tentativë për t'i ikur policisë, ku u aksidentua në dalje të qytetit dhe më pas u largua me këmbë drejt lumit Kir. Por, pas një ndjekje prej disa minutash ai u kap nga Forcat Shqiponja, ndërsa gjatë arrestimit iu sekuestrua edhe arma e krimit. Në dëshminë e tij paraprake, ai ka pohuar se objektivi i tij ishte vetëm një person, Erogen Vaso. Në lidhje me ngjarjen në kërkim janë shpallur edhe dy bashkëpunëtorët e tij, Barush Bregu, i njohur si krahu i djathë i grupit Lici dhe një 17-vjeçar. Të dy akuzohen se kanë siguruar armët, mjetet dhe pajisjet e tjera për kryerjen e atentatit në Shkodër. /ZËRI


