
GREQI- Edhe pse në arrest për vrasjen e gruas së tij Enkelejda Danaj, 50-vjeçari vazhdon të shkatërrojë fëmijët e tij. Eduart Danaj nuk pranon që djali i tij i mitur të marrë pjesë në varrimin e nënës së tij që do të bëhet në Shqipëri, shkruajnë mediat greke. Djalit i duhet një prokurë e lëshuar nga i ati për të udhëtuar jashtë vendit fqinj dhe t'i thotë “lamtumirën e fundit” nënës.
Por ky nuk është i vetmi qëndrim tronditës nga ana e 50-vjeçarit, pasi disa herë i ka thënë vajzës “je si nëna jote” dhe se do e vrite edhe atë. Eduart Danaj pritet që të dalë sot përpara Gjykatës ku do të njihet me masën e sigurisë. Në një video-dokument të publikuar nga protothema.gr dëgjohen zërat dhe lutjet e gruas për ndihmë gjatë një përleshjeje të ashpër mes viktimës dhe autorit të ndodhur mbrëmjen e së hënës së kaluar.
Eduart Danaj masakroi me thikë bashkëshorten e tij Enkelejda Danaj më 16 maj. Sipas Policisë, gruaja ka marrë disa goditje me thikë, të cilat i shkaktuan dhe vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes. Pas krimit, Danaj është arratisur, duke u kapur pas disa orësh. Gruaja e kishte denoncuar tre herë për dhunë në familje Eduart Danaj. Ajo u gjet pa shenja jete nga banorët e pallatit, të cilët rrëfyen tmerrin. Në vendngjarje ka shkuar dhe vajza e çiftit, e cila ndodhet në gjendje shoku, nga ajo që ka parë./ZËRI