
TIRANË- Foshnja që u gjet i braktisur gjatë ditës së djeshme në garazhin e një pallati në zonën e Yzberishtit, vijon të jetë në gjendje kritike për jetën. Burime nga materniteti Koço Gliozheni bëjnë me dije për Zëri.ai se foshnja është intubuar për shkak se kur ka mbërritur në spital, ka qenë pa shenja jete.
Fëmija i porsalindur i seksit mashkull, u gjet në një garazh makinash në Yzberisht nga banorët e pallatit mesditën e të mërkurës, të cilët më pas njoftuan edhe policinë. Gjatë pasdites së djeshme u ndalua nga policia dhe nëna e foshnjes, një 29-vjeçare nga qyteti i Pogradecit, e identifikuar si Eglantina Isufaj.
Mësohet se në momentin që është dërguar në maternitet, foshnja ka qenë e mbuluar me gjak e baltë. Mjekët konstatuan hipotermi të thellë, gërvishtje të syrit të majtë, të gojës, të gishtave të dorës së djathtë dhe dëme të tjera që u konstatuan pas larjes.
Sipas bluzave të bardha në maternitetin e Tiranës, foshnja mbërriti pa shenja jete dhe u reanimua intesivisht duke u intubuar. Pas reanimimit intensiv prej 40 minutash, shfaqi shenja jete dhe më pas u bë mjekimi i plagëve. Ai mbetet në gjendje tepër të rëndë i lidhur me aparatin e ventilimit me parametra maksimalë.
Mësohet se fëmija në momentin e parë u gjet i zhveshur, me kordonin umbelikal të pa prerë dhe i mbuluar me gjak. Nuk dihen kushtet e familjes së të voglit, se pse nëna e braktisi në garazh menjëherë pas lindjes, ndërkohë që banonte fare pranë vendit ku u gjet foshnja.