
SHBA- Ish-agjenti i FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal u deklarua fajtor të premten edhe për fshehjen e parave që pretendon se i ka marrë hua, Agron Neza. Në seancën e zhvilluar ditën e djeshme, Charles F. McGonigal, 55 vjeç, u deklarua fajtor për një akuzë të fshehjes së fakteve materiale, një vepër e dënueshme deri në 5 vjet burg. Sipas një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë të pranuar nga gjykatësja e qarkut të SHBA, Colleen Kollar-Kotelly në Uashington, të dyja palët ranë dakord që dënimi mund të variojë nga 0-27 muaj për McGonigal. Prokurorët federalë ranë dakord të heqin të gjitha akuzat e tjera në pritje: dy akuza për falsifikim të të dhënave ose dokumenteve, të dënueshme deri në 20 vjet burg, dhe 6 akuza të tjera për fshehje të fakteve materiale ose dhënie të deklaratave të rreme.
Në dokumentet e nënshkruara për pranimin e fajësisë dhe një deklaratë në gjykatë, McGonigal pranoi thelbin e fakteve. Ai pranoi se fshehu marrjen e pagesave dhe takimet me zyrtarë të huaj për të shmangur pyetjet në lidhje me një konflikt interesi me postin që mbante.
“Unë nuk ia zbulova këto fakte FBI-së, sepse e dija se angazhimi në përpjekjet për zhvillimin e biznesit personal ndërsa punonja ende me FBI-në ishte i papërshtatshëm dhe mund të ngrinte pikëpyetje. Druhesha nga FBI se do të ndërhynin në planin tim për të krijuar biznesin tim përpara se largohesha nga posti,”- tha McGonigal në gjykatë.
“Dua t'i kërkoj falje FBI-së. Kjo nuk është një situatë në të cilën doja të isha, apo të fusja FBI-në,”-shtoi ai.
Marrëdhëniet e paligjshme të McGonigal në Shqipëri – dhe për miliarderin rus Deripaska – e kanë vënë FBI-në në pikëpyetje.
I pyetur nga gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly, nëse më 25 nëntor, ai kishte “informuar Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë … për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm ‘për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama’, McGonigal u përgjigj “Po”.
McGonigal kishte marrë informacion për këtë lobist nga Dorian Duçka. Në akt-padi nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare. Por më 14 nëntor të vitit 2017, lobisti Nick Muzin, depozitoi në Departamentin e Drejtësisë, ndonëse me vonesë, dokumentet mbi aktivitetin lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së, i cili më pas është bërë subjekt hetimi në Shqipëri për origjinën e parave.
Më 26 shkurt 2018, zyra e FBI-së në Nju Jork hap zyrtarisht hetime të përqendruar tek lobisti amerikan me kërkesën dhe nën udhëzimin e McGonigal. Gjatë seancës McGonigal pranoi se i kishte krijuar lidhjet dhe kontaktet në Shqipëri përmes një mikut të tij, duke iu referuar Nezës, me synimin për të përgatitur terrenin që pasi të largohej nga FBI-ja të ndiqte mundësi biznesi dhe përfitimesh në Shqipëri.
“Përpara se të largohesha nga FBI në shtator 2018, po planifikoja të hapja një biznes konsulence për çështje sigurie me një mik. E dija se kontaktet e mia me qeverinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare mund të ishin të dobishme për mua kur më vonë të nisja biznesin,”- tha ai në gjykatë duke iu referuar kontakteve me qeverinë e Shqipërisë.
Ai shtoi më tej, ashtu siç thuhej edhe në aktpadi edhe në deklaratën e fajësisë, se nuk i kishte deklaruar 220 mijë dollarët që tha se i kishte marrë hua nga miku i tij dhe partneri i mundshëm biznesit, duke iu referuar Nezës si edhe nuk kishte deklaruar kontaktet me qytetarë të huaj.
McGonigal pranoi në seancë faktin që ishte takuar disa herë me Kryeministrin Edi Rama duke filluar nga shtatori 2017, duke filluar nga takimi i parë më 9 shtator në prani të Duçka që vazhdon të figurojë si personi B edhe në dokumentin ku ofrohet një akuzë e reduktuar. I pyetur nga gjykatësja nëse pas udhëtimit në shtator 2017, ai kishte mbajtur “një marrëdhënie të vazhdueshme me kryeministrin e Shqipërisë dhe personin B”, McGonigal u përgjigj “Po”.
Në të njëjtën mënyrë ai u përgjigj kur u pyet nëse me kërkesë të Personit A, ai i kishte bërë thirrje kryeminisrit të kishte kujdes dhe të mos i jepte liçenca për kërkime nafte në Shqipëri një kompanie ruse guackë, ndërkohë që personat A dhe B kishin interesa financiarë nga vendimi i qeverisë shqiptare. Po ashtu, ai pohoi që gjatë vizitës së shtatorit 2017, McGonigal “u prezantua nga personi A me një biznesmen dhe politikan shqiptar, i cili i kërkoi atij ndihmë, që dikush të hetonte për një komplot të dyshuar për të vrarë biznesmenin dhe politikanin”.
Pas seancës avokati i tij Seth Ducharme foli për gazetarët. Avokat i ish-zyrtarit të FBI-së, Chales McGonigal tha: Megjithëse ai mund të ketë pasur ose ka pasur, mendoj unë, disa interesa mjaft legjitime që përputheshin me Shtetet e Bashkuara për të mbajtur ato marrëdhënie, ai gjithashtu kishte qartazi interesa personale që të përgatiste terrenin pasi të largohej nga detyra t’i vazhdonte ato marrëdhënie. Pra, sigurisht që ishte diçka e papjekur. Shumë njerëz në këtë qytet dhe gjetkë kur janë në qeveri dhe mendojnë të largohen për në sektorin privat, pyesin veten: 'Si munden aftësitë dhe marrëdhëniet që kam zhvilluar tani më shërbejnë privatisht? Dhe gjëja shumë e rëndësishme, të cilën McGonigal me siguri e njeh tani është se duhet të ketë një ndarje të qartë dhe një pushim.
Ai shtoi se kur mendon të hapësh një firmë private konsulence, kur largohesh nga qeveria, “sa më shumë kontakte të kesh në të gjithë botën, aq më të shumta mundësitë për biznes. Kështu, për disa prej njerëzve me të cilët ai (McGonigal), konsideroi zhvillimin e mundshëm të biznesit dhe burime për marrëdhënie të mëtejshme, ai aludoi në pranimin e fajësisë sot dhe ata hyjnë në këtë kategori.
Ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, pranoi në gusht fajësinë në një gjykatë në Nju Jork lidhur me akuzën për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, duke punuar pas daljes në pension për oligarkun rus Oleg Deripaska, të cilin më parë ai e kishte hetuar.
Në publikimin e dosjes së plotë dhe aktakuzës me 9 pika që FBI ka kopsitur për ish-agjentin dhe shefin e kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal, protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI./Zëri.ai