PEQIN- Në orët e para të mëngjesit Forcat Operacionaleushtruan një kontroll të befasishëm në Burgun e Sigurisë së Lartë të Peqinit. Gjatë aksionit ku morën pjesë mbi 250 forca sigurie, të dënuarit me burgim të përjetshëm, Indrit Shaqja iu gjet një aparat celular iPhone 16, i cili dyshohej se përdorej për komunikim të jashtëligjshëm.
Por kjo nuk është hera e parë që Shaqja siguron një telefon në qeli. Edhe në një aksion të ndërmarrë në dhjetor të vitit 2024, të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e Arben Lleshit, iu gjet një aparat celular, si dhe një predhë që i përkiste armës së Sokol Mjacajt, që qëlloi për vdekje Lleshin.
Por kush është Indrit Shaqja
Indrit Shaqja u arrestua në Barcelonë të Spanjës për vrasjen e dy të moshuarave në qytetin bregdetar të Durrësit, më 2 shtator 2014. Shaqja u fut në banesën e dy kunatave, Elsa Vava 72 vjeç dhe Gjinovefa Vava 77 vjeç, për të vjedhur sende më vlerë dhe para, por kishte hasur në kundërshtinë e tyre, ndaj edhe nisi torturën deri në vdekje. Viktimat u gjetën nga policia të lidhura dhe mbytura me qese plastmasi në kokë në shtëpinë e tyre në lagjen nr.11 të Durrësit mbrëmjen e 2 shtatorit 2014.
Çfarë ndodhi në Peqin
Mesditën e 15 dhjetorit, Mjacaj ekzekutoi Arben Lleshin brenda qelisë së tij. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marrë peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve dhe disa gardianë, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet, pasi u garantua se nuk do të vritej.Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çek në vitin 2015./ZËRI

