
BRITANI E MADHE- Një 47-vjeçar shqiptar, i kapur nga Policia gjatë një kontrolli të kryer në një "shtëpi bari", është dënuar me 14 muaj burg. Vetë Adriatik Abazi e kishte pranuar fajësinë për fermën me bimën e ndaluar, vlera e të cilës përllogaritej në rreth 900,000 paundë.
Shtëpia u pikas pasi dritaret e pronës ishin të mbyllura me dërrasa dhe qiraja nuk po paguhej. Abazi, i cili u gjet brenda në shtëpi, tha se i kishin ofruar punë duke i thënë se duhet vetëm që të ujiste bimët.
Avokati i tij, Ed Hulme, shpjegoi se klienti i tij - i cili punonte në industrinë e ndërtimit në Itali, ku kishte jetuar që në moshë të re - kishte fluturuar për në Mbretërinë e Bashkuar për të vizituar një mik kur dëgjoi disa njerëz duke folur gjuhën e tij amtare në një pub në Londër. Pas disa pijeve, ai u prezantua me ta dhe pasi konsumoi alkool më shumë seç duhej, pranoi të shkonte me ta në një vend të panjohur.
Abazi tha se shqiptarët e tjerë i dhanë një telefon dhe i mësuan sesi të kujdesej për bimët e kanabisit. Sipas tij, ishte kërcënuar se nëse nuk do të punonte për ta, nuk do t'ja jepnin më kurrë dokumentet italiane që i kishin "grabitur" në momentin kur ishte i dehur. Por Gjykata theksoi se ai ishte lënë vetëm për një kohë shumë të gjatë, gjatë së cilës mund të kishte kërkuar ndihmë. Sipas mediave të huaja, ai kishte 11 ditë i mbyllur kur e gjeti Policia.
Avokati i tij shtoi: Ai nuk ndihet viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore, por ndihet i mashtruar.
Kështu, Abazi u dënua me 14 muaj burg./ZËRI