
BULLGARI- Ministri serb i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiç, ka pranuar personalisht se regjimi i Aleksandër Vuçiç ka qenë i përfshirë në ndalimin e ndërtimit të Korridorit 8, i cili duhet të lidhë Detin e Zi me Detin Adriatik.
Media bullgare BGNES shkruan se Bashkimi Evropian ka lënë pezull planet për korridorin nga Bullgaria në Shqipëri, por ky skenar i zymtë është shmangur me vendimin e Aleksandër Vuçiç, pasi Beogradi filloi të investojë në linjën hekurudhore.
“Në Bashkimin Evropian kanë shtyrë investimet dhe punimet për korridorin nga Bullgaria në Shqipëri, si dhe atë nga Rumania në Greqi. Ne e shmangëm këtë skenar të zymtë për Serbinë me vendimin e Aleksandër Vuçiç që Beogradi të fillojë të investojë në linjën hekurudhore,”- tha Vesic.
Sipas tij, “Serbia duhet të luftojë që të jetë një vend qendror nëpër të cilin kalojnë të gjitha linjat hekurudhore”.
Korrespondenti i BGNES nga Shkupi kujton se vendimi i parë i qeverisë së Hristijan Mickoskit në Republikën e Maqedonisë së Veriut ishte ndalimi i ndërtimit të Korridorit 8. Krahu i djathtë e Mickoskit, Aleksandër Nikoloski, madje u përpoq t'i drejtonte fondet evropiane të siguruara për këtë korridor.