Aktualitet

Ministri i Drejtësisë kërkon hetimin për gjyqtaren e Korçës, vonoi zbardhjen e vendimit për 15 muaj, i dënuari nuk përfitoi dot…

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, si pasojë e vonesës në zbardhjen e vendimit, përtej çdo afati ligjor, i dënuari nuk ka përfituar dot nga amnistia

E.K
Ministri i Drejtësisë kërkon hetimin për gjyqtaren e
besfort lamallari dhe eglantina mikani

TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari i ka kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), nisjen e një hetimi disiplinor për gjyqtaren e Korçës, Eglantina Mikani, për shkelje të rënda procedurale në trajtimin e një çështjeje penale ndaj shtetasit Renato Faskaj i akuzuar për veprën “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.

Sipas dokumentacionit të përcjellë nga Ministria e Drejtësisë, vendimi penal është shpallur më 14 dhjetor 2022, ndërsa vendimi i arsyetuar dhe dosja përkatëse janë depozituar në sekretarinë gjyqësore vetëm më 7 mars 2024, pra me një vonesë prej 14 muajsh e 24 ditësh, në kundërshtim flagrant me afatet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.

Ministri Lamallari vlerëson se kjo vonesë e pajustifikuar ka prodhuar pasoja konkrete juridike, pasi vendimi ka marrë formë të prerë më 20 maj 2024, duke i hequr të pandehurit mundësinë për të përfituar nga amnistia e parashikuar në ligjin nr. 33/2024.

Në kërkesën drejtuar ILD-së argumentohet se veprimet e gjyqtares bien ndesh me parashikimet e Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë dhe me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale, të cilat detyrojnë gjyqtarët të shpallin dhe arsyetojnë vendimet gjyqësore brenda afateve ligjore, pa përjashtime dhe pa vonesa të pajustifikuara.

“Në zbatim të neneve 71/2 të ligjit Nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, nenit 6, pika 10 e ligjit 8678/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, dhe nenit 119/2 të ligjit Nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, kërkohet fillimi i hetimit disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, Eglantina Mikani”, thuhet ndër të tjera në shkresën e firmosur nga Lamallari.

“Ministria e Drejtësisë po ndjek me vëmendje edhe raste të tjera në gjyqësor dhe do t’i adresojë menjëherë në institucionet përkatëse, duke konsideruar se respektimi i afateve procedurale dhe standardeve ligjore është thelbësor për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe për garantimin e drejtësisë së barabartë për çdo qytetar”, thuhet më tej në deklaratën e Ministrisë.

Poll

MOS HUMB