
TIRANË- Mirel Mërtiri ka deklaruar këtë të hënë se nuk ka kërkuar azil në shtetin austriak si dhe nuk është një person në arrati. Sipas tij, ai dhe bashkëshortja e tij Stela Gugallja nuk janë ndaluar kurrë nga autoritetet. Mërtiri, një prej bashkëpronarëve në aferën e inceneratorëve u shpreh se ai dhe familja e tij janë qytetarë të lirë. Deklaratën e bëri i ftuar në “Çim Peka Live”.
Mirel Mërtiri: Nuk i jam drejtuar shtetit austriak për azil. Unë besoj në shtetin e të drejtës, nuk besoj në makinacione dhe mashtrim. Nuk kam bërë kurrë kërkesë. Nuk jam ndaluar kurrë nga Interpoli. Nëse do të hetoni do të kuptoni se ne nuk jemi arrastisur nga Shqipëria. Ne vazhdojmë të jemi qytetarë të lirë.
Pyetje: A është ndaluar bashkëshortja juaj?
Mirel Mërtiri: Jo asnjëherë.
Pyetje: Ka një kërkesë ekstradimi?
Mirel Mërtiri: Po patjetër se është bërë publike.
Mirel Mërtiri është shpallur në kërkim më 2022 për aferën e inceneratorit të Elbasanit. Disa ditë më parë SPAK e akuzoi dhe për inceneratorin e Tiranës, bashkë me zyrtarin e bashkisë së Tiranës Taulant Tusha dhe persona të tjerë. Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto sipas prokurorisë kanë konsumuar veprat penale ‘Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetëror dhe i të zgjedhurve vendorë’, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245 dhe 25 të Kodit Penal si dhe ‘Pastrimit i produkteve te veprës penale apo i veprimtarisë kriminale’, kryer ne rrethana cilësuese në bashkëpunim./ZËRI