Aktualitet

Moti i keq në vend, disa fshatra ende pa energji në qarkun e Elbasanit

Ndërsa raportohet se disa fshatra të bashkisë së Peqinit, Librazhdit dhe Elbasanit janë ende pa energji elektrike.

I.F
Moti i keq në vend, disa fshatra ende pa energji në qarkun e Elbasanit
Foto ilustruese

ELBASAN- Për shkak të motit të keq dhe reshjeve të dëborës, disa nga rrugët e qarkut të Elbasanit u bllokuan. Gjatë 3 ditëve, po punohet për hapjen e rrugëve dhe defekteve të shkaktuara në energjinë elekrike. Emergjenca Civile bën me dije se akset rrugore nacionale dhe segmentet e rrugëve rurale janë hapur dhe nuk raportohet për probleme në qarkullimin e automjeteve. Në akset ku ka pasur borë apo ngrica nga firmat kontraktuese është bërë pastrimi i dëborës si edhe është kryer kriposja në të gjitha segmentet problematike. Ndërsa raportohet se disa fshatra të bashkisë së Peqinit, Librazhdit dhe Elbasanit janë ende pa energji elektrike.

“Në aksin e rrugës kombëtare Elbasan-Qafë Thanë në “Kthesat e Qafë Thanës”, ku temperaturat zbritën deri -6 gradë C, prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të mërkure është punuar nga borëpastrueset dhe është hedhur kripë në rrugë për të evituar ngricat.

Në aksin rrugor Librazhd-Steblëve -Bulqizë qarkullimi edhe këtë mesjavë është i mundur vetëm me zinxhirë e goma dimërore në segmentin nga Borova në Steblevë, ndërsa në pjesën tjetër nga sot qarkullimi kryhet normalisht.

Akset e tjera të rrugëve kombëtare në Qarkun e Elbasanit janë te hapura dhe në zonat problematike është hedhur kripë.

Në disa bashki si në atë të Elbasanit, Librazhdit, Prrenjasit e Gramshit vijon puna për hapjen e rrugëve rurale që lidhin fshatrat malorë me Njesitë Administrative. Në bashkinë e Elbasanit po punohet në aksin Elbasan-Labinot Mal, Elbasan-Funarë. Në këtë bashki nuk ka dalje nga shtrati dhe probleme me prurjet e lumenjve e përrenjve malorë pasi prurjet e tyre janë në kuotat normale.

Edhe situata e furnizimit me energji elektrike paraqitet mjaft e përmirësuar në krahasim me ditët e para të kësaj jave. Pa energji janë edhe disa fshatra në Nj.A Polis e bashkisë Librazhd dhe Nj.A Bishqem bashkia Peqin,Nj.A Funar bashkia Elbasan, si dhe kanë defekte të rënda kabinat elektrike në qytetin e Prrenjasit dhe një në bashkinë Gramsh dhe në terren po punohet nga dhjetëra punonjës të OSHE për riparimin e të gjitha dëmeve e defekteve të shkaktuara nga moti i keq”, njofton Emergjenca Civile. /ZËRI

Poll

MOS HUMB