Aktualitet

"Natë sfiduese në Finiq"/ Vatra aktive dhe evakuime, ministri Vengu: Kufizohet qarkullimi në disa akse

Në orët e mëngjesit u ndalua dhe përhapja e flakëve që rrezikonin Hidrocentralin e Bistricës, ku pritet të ndërhyet gjithashtu nga ajri.

zh.ll
"Natë sfiduese në Finiq"/ Vatra aktive dhe evakuime,
Pamje nga zjarret

TIRANË- Mbrëmja e kalur ka qenë një natë e vështirë dhe sfiduese në zonën e Finiqit, ku zjarre të fuqishme kanë rrezikuar banesat e banuara. Bëhet me dije se gjatë natës flakët të favorizuara nga era e fortë u përhapën në fshatrat Velahovë, Livinë, Ardhasovë, Bistricë dhe Krongj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka bërë me dije se janë evakuuar përkohësisht banorët në Livinë dhe Ardhasovë, si dhe janë marrë masat për ofrimin e asistencës mjeksore për personat e moshuar.

Në orët e mëngjesit u ndalua dhe përhapja e flakëve që rrezikonin Hidrocentralin e Bistricës, ku pritet të ndërhyet gjithashtu nga ajri. Ministri ka njoftuar se për arsye sigurie qarkullimi i mjeteve në aksin Muzinë - Bistricë do të vijojë të mbetet i kufizuar deri në përmbyllje të operacioneve. Ndërkohë raportohet se dy banesa në fshatin Velahovë janë djegur plotësisht, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit dhe për të evakuuar banorët në rrezik.

POSTIMI I PLOTË:

Natë tepër sfiduese në Finiq ku ekipet zjarrfikëse të Bashkive #Finiq, #Delvinë, #Konispol, #Sarandë, të mbështetura nga zjarrëfikëse dhe efektivë të #FA , si dhe efektivë të Policisë së Shtetit , u përballën pareshtur me vatrat që u përhapën të favorizuara nga era e fortë mes fshatrave:

Velahovë
Livinë
Ardhasovë
Bistricë
Krongj

U realizuan evakuimet e përkohshme të banorëve në Livinë dhe Ardhasovë, si dhe u morën masa për ofrimin e asistencës mjeksore për personat e moshuar, ndërkohë që forcat operacionale dhe ato vullnetare siguruan mbrojtjen e çdo banese dhe biznesi të rrezikuar.

Në orët e para të mëngjesit, u realizua një operacion i suksesshëm për të parandaluar përhapjen e flakëve që rrezikonin Hidrocentralin e Bistricës, ku në këto momente pritet të ndërhyet gjithashtu nga ajri.

Për arsye sigurie, qarkullimi i mjeteve në aksin Muzinë - Bistricë do të vijojë të mbetet i kufizuar deri në përmbyllje të operacioneve.

Forcat operacionale vijojnë punën në terren për të kontrolluar çdo hapësirë që mund të riaktivizohet nga era dhe temperaturat e larta që pritet të mbizotërojnë në orët në vijim./ZËRI

Poll

MOS HUMB