
AUSTRI – Mediat në Austri raportojnë se një shqiptar 20 vjeç ndërroi jetë, pasi tentoi të ikë nga duart e policisë. Shqiptari mësohet se është hedhur në lumin Salzach, që ishte edhe me akull në këtë periudhë, pranë Tenneck im Pongau.
Raportohet se shqiptari u arratis nga forcat policore, në një mënyrë, që ngjasonte me skenat e filmave. Ai u hodh dy herë në Salzach, me ujëra të ftohtë, 4.5 gradë C.
Ndjekje në autostradën A10
Shqiptari ka nisur arratisjen që në Gjermani, ku ka pasur një tentativë për ta ndaluar nga policia bavareze në Ualserberg. Ai e ka drejtuar automjetin (i cili ishte raportuar i vjedhur) në Austri, në drejtim të Villach, me shpejtësi të lartë. Policia e Salzburgut, e alarmuar për situatën, e ndoqi të dyshuarin në A10 deri në daljen e Hallein, ku oficerët fillimisht e humbën nga sytë.

I dyshuari ikën në këmbë
Pas kërkimeve të shumta të policisë, automjeti u zbulua më në fund në zonën Tenneck pranë Verden. Menjëherë pas kësaj, mjeti i shqiptarit është përplasur me makinën e policisë. 20-vjeçari doli nga makina e vjedhur dhe eci në këmbë me vrap, u ngjit mbi argjinaturën në drejtim të Salzach, u hodh në lumë dhe donte të kalonte në anën tjetër. Për shkak se oficerët e policisë po prisnin tashmë në anën tjetër të Salzach, ai u hodh në lumë për herë të dytë.

Policia kap 20-vjeçarin, tashmë pa shenja jete
Forcat e alarmuara të shpëtimit të ujit dhe të zjarrfikësve e kapën të dyshuarin, tashmë të pajetë në Salzach. Punonjësit e ndihmës së shpejtë i dhanë ndihmë shqiptarit, por gjithçka rezultoi e kotë. Pas rreth një ore, i riu u dërgua në spitalin e Salzburgut me helikopterin e shpëtimit Martin 1. Megjithatë, ai vdiq aty po atë mbrëmje.

Motivi i arratisjes mbetet i paqartë
Prokurori publik ka urdhëruar kryerjen e autopsisë për trupin e pajëte. Autoritetet dyshojnë se 20-vjeçari u arratis, për shkak se mund të kishte mjetin e vjedhur, por arsyeja zyrtare nuk dihet./Zëri.ai/