Aktualitet

VIDEO-SHPJEGIMI i koncensionit të sterilizimit, si ish-ministri Beqaj i fali shokut biznesin 100 mln €

GJKKO mendon se pas hekurave duhet të ishte edhe vetë ish-ministri Beqaj. Në vendimin e gjyqtarit Erjon Bani, thuhet se masa e duhur për rastin e Beqajt është ajo e arrestit me burg, pasi ai është person që e ka kryer veprën penale në rrethana rënduese duke bashkëpunuar dhe me persona të tjerë.

F.m
VIDEO-SHPJEGIMI i koncensionit të sterilizimit, si ish-ministri Beqaj i
Ilir Beqaj dhe Ilir Rrapaj

TIRANË- Ndërkohë që Gjykata e Posaçme përplaset me Prokurorët e SPAK Për masën e sigurisë në ngarkim të ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, dhe ky i fundit vijon të respektojë masën e caktuar, duke u paraqitur çdo të premte në dyert e Prokurorisë së Posaçme, ZËRI ju kthen pas në vitin 2015, kur kontrata origjinale që i ka hapur rrugë këtij koncesionit të sterilizimin është firmosur mes Ministrisë së Shëndetësisë të përfaqësuar nga Beqaj dhe administratori i kompanisë “SaniService”, Admir Daca.

Aktualisht në pranga për koncesionin 100 milionë dollarësh për 10 vjet është biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili u shpall fitues dhe ish-zv/ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj.

Por GJKKO mendon se pas hekurave duhet të ishte edhe vetë ish-ministri Beqaj. Në vendimin e gjyqtarit Erjon Bani, thuhet se masa e duhur për rastin e Beqajt është ajo e arrestit me burg, pasi ai është person që e ka kryer veprën penale në rrethana rënduese duke bashkëpunuar dhe me persona të tjerë.

Sipas Gjykatës, Beqaj paraqet rrezikshmëri shoqërore, dhe duke qenë se ende mban detyra publike, ai mund të ripërsërisë krimin që ka kryer.

Gjyqtari Bani argumenton se shkelja që ka kryer Beqaj, është shumë më e rëndë se ajo e kryer nga vartësi i tij Klodian Rrjepaj, dhe biznesmeni që fitoi koncensionin e sterizilimit Ilir Rrapaj, të cilët ndodhen pas hekurave.

Në vendimin e Gjykatës së Posaçme evidentohet dhe dëmi ekonomik që i është bërë buxhetit të shtetit për koncensionin e sterilizimit. Kompania që fitoi, paraqiti një ofertë 3 miliardë lekë më shumë sesa ishte fondi limit për koncensionin e sterilizmit.  

 

Në arrest shtëpie, me urdhër të SPAK, janë lënë edhe drejtori ekonomik i Ministrisë, Saimir Kadiu, si edhe drejtoresha juridike, Marsela Serjanaj. Ka ndërkohë edhe disa urdhra për detyrim paraqitje, ku përfshihet edhe Rektori i Universitetit të Mjekësisë, njëkohësisht shefi i kirurgjisë pranë QSUT, Arben Gjata. Po ashtu, detyrim paraqitje ka edhe për shtetasit Pertef Mersini, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi.

Ish-ministri pritet të ulet sërish në karrigen përballë prokurorëve të Posaçëm për tu marrë në pyetje edhe lidhur me udhëtimet që ka bërë drejt Italisë dhe Vjenës së bashku me ish-zëvendësin e tij Klodian Rjepaj e biznesmenin Rrapaj.

SPAK ka arritur të vërtetojë se udhëtime jashtë shtetit ka pasur edhe mes Umbro Staçinit e biznesmenit Rrapaj me Beqajn e Rrjepajn, të cilët vijonin kontaktet edhe pas shpalljes së fituesit të koncesionit.

Një hyrje në Shqipëri është regjistruar në pikën e kalimit kufitar Morinë me makinë në datën 13.03.2018.

Në dosje përmenden detaje të tjera që nuk janë përmendur më herët sa i takon shprehjes së dakordësisë, ku ish ministri i Shëndetësisë, Beqaj i ka kërkuar takim shefave të Kirurgjisë para se të firmosej kontrata e koncesionarit në dhjetor të vitit 2015, si dhe ka marrë miratimin nga katër ministra të tjerë, Mirela Kumbaro, Edmond Panariti, Arben Ahmetaj e Lefter Koka.

Nën ‘lupën’ e hetuesve janë edhe kompjuteri, telefoni e i-Pad-i i sekuestruar në banesën e ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë Rjepaj.

Bisedat e mbetura në pajisjet elektronike mund të gjenerojnë të dhëna të tjera shtesë për këto hetime, përfshirë ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqajn, dhe atë të Financave, Shkëlqim Cani.

Konflikti i interesit

SPAK ka dalë në përfundimin se ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, ka pasur njohje me biznesmenin e kompanisë fituese të koncesionit të sterilizimit, pavarësisht se dy të pandehurit nuk e kanë pranuar këtë gjë.

Rjepaj dhe Rrapaj kanë përfunduar studimet së bashku në fakultetin e Mjekësisë në vitet 1991-1994. Hetuesit janë të bindur se biznesmeni përdorte makinën e ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë për të dalë jashtë Shqipërisë. Madje, sipas SPAK në shërbim i ishte vënë dhe shoferi i zëvendësministrit. Në shumë duëhtime rezulton ta ketë shoqëruar dhe vetë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Rrapaj përftoi tenderin me vlerë 100 milionë euro, për ngritjen e një qendre sterilizimi në QSUT, e cila kurrë nuk mori jetë.

Pretendimet e Beqajt

Ish-ministri i Shëndetësisë e konsideron kontratën të suksesshme. Sipas tij zbatimi i saj ka ulur ndjeshëm infeksionin spitalor dhe me afro dy ditë qëndrimin e një pacienti në spital. Ai pranon se është e vërtetë që kur ka ardhur në detyrë ka gjetur gati centralin e sterilizimit në QSUT në 2013, por sipas tij nuk ishte e parashikuar se me se do i transportonte instrumentet e sterilizuar për tek Spitali i Traumës apo dy maternitetet dhe Sanatoriumi dhe si do riktheheshin për t’u sterilizuar rishtazi. E njëjta gjë edhe për spitalet e rretheve. Umbro Staçinin dhe Ilir Rrapajn, përfitues të koncesionit 100 milion euro nuk i konsideron miq dhe e cilëson një rastësi fluturimin me ta në të njëjtin avion.

E-maili zbuloi fituesin e koncensionit

Një e-mail i dërguar nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, tek ish-vartësi i tij, Klodian Rjepaj, vetëm pak ditë para lidhjes së kontratës koncesionare të sterilizimit, ka ekspozuar faktin se zyrtarët e ministrisë e dinin fituesin.

“Pa ardh përfshirja e Avokatit të Shtetit është shpejt për t’u ulur për kontratë me italianët,”- shkruhet në e-mailin e dërguar pa u hartuar ende kontrata koncensionare.

Në të njëjtën kohë rezulton se ka pasur komunikime edhe mes Rjepajt e Umbro Staçinit, biznesmenit italian të SaniService.

Kjo gjë e bën përgjegjës ish-ministrin për faktin se si titullar i autoritetit kontrator, duhet të kishte pezulluar procedurën e prokurimit, por ai jo vetëm që nuk e bëri këtë gjë, por as nuk ka ngriti komisionin e nevojshëm.

Si u grabitën paratë

Skema që ka sjellë mbifaturim të shërbimeve, është përdorur duke hapur kompani nënkontraktore. Janë dhjetëra kompani të Ilir Rrapaj, italianit Umbro Staçini, gruas së tij Elizabetta, vëllait të Rrapajt, Mitatit dhe shumë drejtorëve të “Sani Service”, që kanë përfituar para nga buxheti i shtetit, duke përdorur shërbimin e koncesionarit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Një tjetër skemë ka qenë edhe faturimi i dy ose trefishtë të një operacioni. Për një ndërhyrje kirurgjikale, hapen dy ose tre sete me instrumenta për të plotësuar në total 1 set të vetëm. Kjo gjë ka sjellë faturim trefish nga koncesionari, në një kohë që realisht është zhvilluar vetëm 1 operacion.

Kategoria e seteve me instrumenta kirurgjikale për operacionet e rënda kushton 370 mijë lekë të vjetra, por faturimi i trefishtë ka bërë që në shumë raste buxheti i shtetit të ketë paguar koncesionarin “Sani Service” deri në mbi 1 milion lekë të vjetra për vetëm 1 ndërhyrje kirurgjikale. Në vetëm 2 vjet, koncesionari ka faturuar buxhetin për një shumë prej 3.6 miliardë lekësh.

Rinegociimi dhe roli i Manastirliut

Ogerta Manastirliu në kohën që drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë vendosi të bëjë pjesë të shërbimit të koncesionarit “Sani Service” dhe 8 mijë operacione që konsiderohen si mikrokirurgjikale. Synetllëku, apandesiti, heqja e një thoi, nishani apo një mishi të huaj nga hunda, u bënë pjesë e skemës koncensionare duke sjellë rritjen e përfitimit të Rrapajt dhe të atyre që e rrethonin.

Për një operacion të kësaj kategorie, buxheti financiar i ministrisë së Shëndetësisë, u ngarkua me 100 mijë lekë të vjetra, çmim që ishte përcaktuar për çdo set kirurgjikal që hapej në bllokun operator. Rritja e ndërhyrjeve kirurgjikale, solli dhe rritjen kostove në buxhet dhe përfitimet tek “Sani Service”.

Dijenia e kryeministrit Edi Rama

Në faqen 88 të vendimit të gjykatës së posaçme, ku thuhet se:

Në 2 Tetor 2015 operatori ekonomik “Action Laundry”, ka njoftuar përmes një shkrese kryeministrin e vendit, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe APP-në, mbi shpërdorimin e fondeve të taksapaguesve në koncesionin e ofrimit të setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale të zhvilluar në datën 4 Maj 2015 nga ministria e Shëndetësisë…

Kjo shkresë i ka shkuar në zyrë kryeministrit Edi Rama, i cili rezulton se është vënë në dijeni për shkeljet, dy muaj përpara se Ilir Beqaj dhe Admir Daca i “Sani Service” të firmosnin së bashku kontratën koncesionare.

Çfarë rrezikon Ilir Beqaj?

Ilir Beqaj zyrtarisht po hetohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim. Por, sipas gjyqtarit Erjon Bani, Beqaj përveçse ka shpërdoruar detyrën, ka falsifikuar vula, stampa dhe formularë.

Kodi Penal e përcakton qartë se Neni 248, Shpërdorimi i detyrës: Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.

Por deri më tani, Beqaj nuk ka shkelur asnjë ditë në qeli

Poll

MOS HUMB