
TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP), Geraldo Durda ka dhënë dorëheqjen. Durda ishte në krye të ATP-së prej vitit 2022 dhe ende nuk ka një emër se kush do të zërë vendin e tij. Ndërkohë arsyet e dorëheqjes janë ende të paqarta, shkruan Voxnews.
Emërimi i Geraldo Durdajt
Geraldo Durda u emërua në krye të Agjencisë së Trajtimit të Pronave me propozim të Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja në shkurt të vitit 2022. Geraldo Durdaj asakohe kishte punuar edhe në Drejtorinë Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë. Emri i tij u propozua pas shkarkimit të Jonida Baçit.
Kush është Geraldo Durdaj
Gerardo Durda është një personazh jo pak i njohur për opinionin publik, pasi është vëllai i 6-vjeçarit, Erisonit që mbeti i vrarë në tragjedinë e Gërdecit. Shpesh herë ai ka bërë deklarata për mediat, duke kërkuar drejtësi për vdekjen e të vëllait, ndërkohë që aktualisht dosja është rikthyer për hetim në SPAK. Për të vendosur drejtësi për të vëllain, ai zgjodhi edhe profesionin e juristit, ndërsa është licensuar edhe si avokat. /ZËRI