Aktualitet

Do investonte në Durrës me anglezin! I sekuestrohen prona, llogari bankare dhe 7 makina (EMRI)

Metkolës i kanë ardhur para nga Britania e Madhe në disa llogari bankare prej shtetasve me të cilët ai nuk kishte lidhje.

f.t
Do investonte në Durrës me anglezin! I sekuestrohen prona, llogari
foto ilustruese

TIRANË-Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar prona, llogari bankare dhe 7 makina të shtetasit Adem Metkola të dyshuar për ‘Pastrim të produkteve të veprës penale’. Sipas Prokurorisë së Tiranës, Metkolës i kanë ardhur para nga Britania e Madhe në disa llogari bankare prej shtetasve me të cilët ai nuk kishte lidhje. 

Adem Metkola ka deklaruar se shumat e depozituara në llogarinë e tij kanë qenë kapar për blerjen e një pasurie të paluajtshme në Durrës, e cila do të përdorej për të ndërtuar një resort turistik ku të dy do ta kishin në bashkëpronësi. Prokuroria e Tiranës informoi se i janë vendosur në sekuestro preventive 2100 metra katrorë tokë truall, mbi 1200 metra katrorë tokë arë, llogari bankare dhe 7 makina luksoze. Prokuroria dyshon se të ardhurat e tij kanë qenë kursime familjare të përftuara si pasojë e emigrimit pasi Metkola rezulton se është deportuar në 2007 dhe nuk është kthyer në angli.

NJOFTIMI:

Prokuroria e Tiranës sekuestron prona, llogari bankare dhe 7 makina të shtetasit A.M. të dyshuar për ‘Pastrim të produkteve të veprës penale’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sekuestroi pasuri të paluajtshme, llogari bankare e 7 makina të shtetasit A.M., nën hetim për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal në kuadër të procedimit penal nr.3298, të datës 23.05.2023.

Nga informacioni i marrë dhe verifikimet e kryera, ka rezultuar se në llogaritë e shtetasve A.M. dhe A.Xh., në bankat e nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë për periudhat 2007-2008, 2015-2016 dhe 2020-2023, kanë mbërritur disa transferta në vlera të konsiderueshme. Dërgesat janë bërë nga shteti anglez dhe dërgues kanë qenë shtetas të huaj, ku midis tyre dhe përfituesve nuk provohet asnjë lidhje. Transfertat bankare në llogaritë e tyre janë bërë pa përshkrim veprimi.

Lidhur me këto transferta, shtetasi A.M. ka deklaruar se shumat e depozituara në llogarinë e tij kanë qenë kapar për blerjen e një pasurie të paluajtshme në Durrës, e cila do të përdorej për të ndërtuar një resort turistik ku të dy do ta kishin në bashkëpronësi.

Nga hetimet e deritanishme, prokuroria vlerëson se duhet vendosur sekuestro preventive pasi ekzistojnë indicie dhe prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi A. M. në bashkëpunim me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen A.Xh. kanë konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Në këtë skemë dyshohet se është e përfshirë edhe shtetasja britanike C.P., e cila ka kryer transferta për shtetasin nën hetim si dhe gjithashtu ka blerë pasuri në bashkëpronësi me të me vlera të konsiderueshme.

Në transfertën e kryer për blerjen e pasurisë truall, shtetasi A. M. ka deklaruar se të ardhurat kanë qenë kursime familjare të përftuara si pasojë e emigrimit, ndërkohë që rezulton që ky shtetas është kthyer deportiv në vitin 2007 dhe këto para nuk i ka qarkulluar më parë në sistemin bankar, pavarësisht se ka rreth 20 vite që është kthyer nga Anglia. Për këtë arsye, prokuroria kërkon vendosjen e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” mbi pasuritë e paluajtshme:

Pasuria e llojit “Arë” me sip. totale 363 m2 në Kamëz;
Pasuria e llojit “Arë” me sip. totale 237 m2 në Kamëz;
Pasuria e llojit “Arë” me sip. totale 649 m2;
Pasuria e llojit “Truall” me sip. Totale 1,000 m2;
Pasuria e llojit “Truall” me sip. Totale 1,000 m2.

Vendosja e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” ndaj llogarive bankare të shtetasit A. M. Si dhe ndaj llogarive bankare të shtetases A. Xh. Vendosje e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” ndaj pasurive të luajtshme (automjete) në pronësi të shtetasit A. M. mjetet: “Smart Micro Compact”; “Hummer H2”; “Suzuki Swift”, “Mazda 2500”; “BMW X6 Xdrive” 35D; “Mercedes Benz ML”, si dhe ndaj pasurisë së luajtshme automjet “Range Rover Evoque”.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB