
TIRANË- Vladimir Kamberi ndan këtë kasolle me tezen që e ka rritur dhe tre qenushët e tij. Prindërit e kanë lënë kur ishte vetëm një bebe dhe vështirësitë ekonomike ka zgjedhur t’i përballojë duke mbledhur kanaçe në vendgrumbullime të ndryshme mbeturinash dhe t’i shesë ato.
Në mungesë të një tjetër alternative, Ladi, siç njihet nga të gjithë, pret çdo muaj pagën e tezes së moshuar që punon në sektorin e pastrimit të Bashkisë Tiranë. Por, sikur të mos mjaftonin peripecitë e jetës, ai sot po përballet me kërcënime e shantazhe nga studio ligjore dhe përmbarues që e telefonojnë vazhdimisht për kreditë që ka të prapambetura.
Në një rrëfim për ZËRI-n, Vladimir Kamberi tregon se si arriti të zhytej në kredi, duke u financuar me vetëm 250 mijë lekë të vjetra nga institucionet mikrofinanciare.
Njëherë mori produkte me këste pa interes, më pas 250 mijë lekë të vjetra kesh, më pas 700 mijë lekë të vjetra.
Por, sot, i kërkohen kamatëvonesat, interesat dhe kapitali i marrë, një total prej 1 milion e 800 mijë lekësh të vjetra, shumë kjo totaslisht e pamundur për tu paguar nga Ladi dhe tezja e tij. Rrjedhimisht, kjo gjë ia vështirëson situatën financare dhe e bën atë të jetojë mes presioneve të studiove ligjore dhe institucioneve mikrofinanciare që e kërcënojnë dhe me futjen e tij në burg.
Intervista e Vladimir Kamberit:
Vladimir Kamberi: Unë quhem Vladimir Kamberi, në qytetin Tiranë, datëlindjen e kam datën 01.03.1998. Jam 25 vjeç. Merrem nëpër kazana, bidona hekura. I mbledh dhe i shes, në ditë aty tek 15 mijë lekëshi apo 17 mijë lekëshi. Ka raste që bëj edhe më pak, ka raste që bëj edhe më shumë. Nëna është ndarë nga babi, dhe është martuar me një tjetër. Me njerkun ka dy goca dhe një çun, kurse me babin, jam unë edhe vëllai. Mua më ka rritur tezja. Tezja që kam te shtëpia, ajo më ka rritur. Ajo më ka rritur që i vogël, që sapo linda. Kam kontakt me mamin po, me babin jo.
Do fillojmë të më tregosh pak historinë, herën e parë që ti ke marrë kredi tek një nga institucionet mikrofinanciare.
Vladimir Kamberi: Po, kam marrë një kredi. Në fillim mora 200. E kam paguar me interesat e tyre, i kam paguar. Afati ishte për katër muaj, por unë e kam larë më shpejt atë. Arrita që mora prapë. Pastaj kam marrë 400, 700, kam marrë, por i kam larë. Në këto kreditë që kam marrë tani, ngeca vetëm dy muaj, ngela pa i paguar. Tani kam tre, unë tani kam marrë 250 mijë lekë. Kur ishte koha për ta mbyllur, kur ishte afër për të paguar 150 mijë lekë, thashë ta paguaja mos ta kem. Këtu thotë tani, nëse e vini re, 250 që kam marrë në total. Ata mua më thonë tani duhet të paguash 450 mijë lekë tek kjo kontrata. Unë tani te kjo kredia kam marrë vetëm 250 mijë lekë, siç e shihni. Aq ishte limiti, aq kishte qenë. Nuk e mbyll dot më tha. Vazhdova duke e paguar, thashë tek letra nuk më thotë që duhet të paguaj 450 mijë lekë. Tek letra i thashë që unë kam tek kontrata, thotë 250 mijë. Edhe ka qenë pa interesa fare.
Po pse ishte pa interesa? Ke marrë ndonjë pajisje ndonjë gjë apo ke marrë lekë cash?
Vladimir Kamberi: Kam marrë pajisje. Që të plotësosha këtë 250 mijë lekëshin. Më kanë marrë ata në telefon. Më kanë thënë duhet të shpenzosh 250 mijë. Aq është limiti, nuk bëhet as më pak as më shumë. Tani ajo më thotë mua janë 450 mijë.
Po kredia e dytë?
Vladimir Kamberi: 250 mijë, ka qenë për dy vjet. Duhet të paguaja 38 apo 40 në muaj.
Sa muaj ke paguar ti tek kjo?
Vladimir Kamberi: Kam paguar sa kam mundur, dy muaj kam që e kam lënë.
Po kredinë e tretë?
Vladimir Kamberi: Edhe te e treta gjithashtu
Po 250 ke marrë dhe te e treta?
Vladimir Kamberi: Jo, kam marrë 700 për dy vjet.
Sa ke paguar tek ajo.
Vladimir Kamberi: Edhe këtë, pothuajse të treja kreditë nga dy muaj i kam lënë.
Pse i ke lënë këto kredi
Vladimir Kamberi: Po nuk kam. Nuk kam me çfarë t’i paguaj.
Më trego pak çfarë ka ndodhur dy muaj pasi ti i ke marrë këto kredi.
Vladimir Kamberi: Më kanë marrë në telefon.
Nga kush je kontaktuar?
Vladimir Kamberi: Nga zyrat e përmbarimit, ligjore
Si të prezantohen ata kur të marrin.
Vladimir Kamberi: Po ju kontaktojmë nga A&G Laë Firms Credit Solution, duke qenë se po vijohet me procedurat ligjore për kredinë që keni pasur, e cila është terminuar dhe është në vonesë, keni detyrimin ligjor për shlyerjen e kësaj debie në mënyrë që të mos vijohet me procedurat ligjore nga ana e kreditorit. Afatet për të shlyer detyrimet nga ana e kreditorit janë 19 shkurt 2024. Nëse dëshironi një zgjidhje, na kontaktoni. Në të kundërt, po vijohet me procedurat nga ana e kreditorit.
Sa është vlera që ti aktualisht i detyrohesh studios ligjore në fjalë që ka marrë dosjet e tua.
Vladimir Kamberi: Detyrimi ishte 1 milion e 800 e ca mijë lekë. Pasi kam dy muaj pa paguar, këta më kërkojnë mua 400 e ca mijë lekë, po s’i pagove do vazhdojnë letrat për në gjykatë.
Po nëse ti paguan këtë vlerën prej 400 mijë lekësh që ata ta kërkojnë, si vijon procedura më tej.
Vladimir Kamberi: Pastaj vazhdoj rregullisht i laj, me këste, siç e kam pas. Unë nuk kam me çfarë t’i paguaj 400 ca mijë lekë. I kam thënë 100 herë, ku i keni zyrat të vij të sqarohem vetë. Jo po kemi fol në telefon me ty, jo andej po këtej.
Nuk ju japin një adresë se ku ndodhen?
Vladimir Kamberi: Jo fare. Kam shkuar dhe u kam thënë, ku të iki se po marrin në telefon. Ku janë këto zyrat? Jo po nuk e di ku janë, jo po andej këtej. Edhe e lashë. Pastaj i kam marrë prapë në telefon dhe i kam thënë, ku i keni zyrat, prapë nuk më tregonin ata. Unë shkova atje, ngaqë nuk paguhet më tek posta. Kështu më kanë thënë ata. Kam shkuar tek dyqani që të kërkoj kodin, s’ma kanë dhënë.
Ti i trembesh një përballjeje në gjyq? Çfarë mendon se mund të humbasësh?
Vladimir Kamberi: Normale. Kam frikë mos futem në burg, ku ta di unë.
Ta kanë thënë ata që mund të përfundosh në burg?
Vladimir Kamberi: Po, ma kanë thënë.
Kush ta ka thënë?
Vladimir Kamberi: Këta që më kanë marrë në telefon. Po, ma kanë thënë. Edhe të dyqanit ma kanë thënë, ma kanë thënë qartë.
Ti do të ishe i gatshëm që të bashkoheshe bashkë me qytetarët e tjerë dhe të firmosje një peticion e të kërkoje mbylljen e të paktën hetimin e këtyre institucioneve?
Vladimir Kamberi: Po. Do tu thosha çunave të rinj, mos të marrin më kredi, të cilat janë me përqindje shumë të larta, gënjejnë. Edhe me zero % po ta marrësh, ata prapë ta bëjnë. Ke rastin tim, me 250 mijë lekë. 450 mijë, për çfarë duhet ta paguaj unë këtë tani, 200 plus, kur të letra thotë 250 mijë. Duhet hetuar. Ka përqindje shumë të larta, ka shumë, një mijë e një arsye.
Tezja ka gjithashtu të njëjtën frikë. Rubije Kamberi rrëfen e prekur se është e gatshme të paguajë çdo qindarkë me këste të vogla mujore, vetëm që Ladi, të cilin e ka rritur si djalin e saj, të mos përfundojë në burg.
Intervista e tezes së Ladit:
Rubije Kamberi: Unë jam Rubije Kamberi, unë në punë jam, në punë shteti, tani dal në pension, më 22 prill. E marrim në orën 7 punën, në orën 2 e lëmë punën. Unë jam fshesaxhie dhe punoj këtu tek katra. Unë nga e keqja e kam marrë këtë se janë dy çunat jetimë, dhe i mbaj unë. Unë i kam rritur. Nga e keqja i mora bankës, megjithatë, unë i kam larë. Një muaj i kam lënë unë se nuk kisha, nuk arrija dot t’i paguaja. Kur i thanë çunit mos paguaj më se nuk shkojnë, unë i lashë për këtë muaj. Ato thanë ke tre muaj pa larë, pse duhet të shkojë tre muaj, unë kam marrë 200 mijë lekë të banka, si e si me la të çunit. Ata thanë nuk i ke paguar, nuk kanë ardhur këtu. Ku kanë ikur ato 200 mijë lekëshi? Që i mora dhe i lava? Ke katër muaj thotë çuni pa la, unë s’i kam lënë katër muaj, një muaj e kam lënë se nuk e arrija dot ta paguaja. Tani çfarë pengese do më nxjerrin mua? Janë vuajtjet e mia se me një rrogë, 400 mijë lekë. Unë më shumë jam futur në borxh se haj me kalamajt se s’kam ku të shkoj më. Nuk ia arrij dot. Marr te komshia, më shumë te kjo. Lekë moj, lekë për bukë, se lekët siç i marr ashtu i lë nëpër banka. Unë dua të mos më futet fëmija në burg. Se unë do t’i laj avash avash sa të kem mundësi. Se unë s’kam ku të shkoj më.
Si do të ndiqet çështja e Ladit?
Ladi është vetëm një nga mijëra qytetarë që sot vuajnë mbi kurriz barra të tilla financiare. Prej 6 muajsh, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCR, ku në një rast, vetë gruaja e guvernatorit Gent Sejko, në postin e drejtoreshës së Tirana Bank, shiti 5 mijë kredi me një të rënë të lapsit te dyshja Olsi dhe Elda Ibro, të cilët me licencën e dhuruar nga Guvernatori nisën presionet dhe shantazhet mbi viktimat për të mbledhur paratë. Bashkë me ta, në treg janë dhe qindra zyra ligjore që ushtrojnë presion për mbledhjen e parave duke shkelur haptaz ligjin për njoftimin, kamatvonesat apo kalimin e çështjes në gjykatë. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet ti japë një përgjigje!/ZËRI