
DURRËS- Sektori i Krimeve të Rënda në Policinë e Durrësit ka vënë në pranga shtetasin Agron Bejdolli, i cili njihet dhe si krahu i djathtë i Rrumit të Shijakut. Për Bejdollin, Gjykata e Durrësit kishte dhënë masën e sigurisë arrest me burg për akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë, për një ngjarje të ndodhur rreth dy vite më parë. Burime bëjnë me dije për ZËRIN, se Bejdolli në bashkëpunim me Rrumin e Shijakut, kanë marrë peng dy vëllezërit Beqiraj në Tetor të vitit 2022. Mësohet se arrestimi i Bejdollit ka ndodhur në banesën e një të afërmi të tij.

Lidhja mes "Rrumit" dhe Bejdollit
Bejdolli ka një lidhje të ngushtë me Aleksandër Lahon alias Pëllumb Muharremi i njohur si Rrumi.
Ai drejtonte makinën e Rrumit ditën e atentatit ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoj. Bejdolli është personi që shoqëroi Rrumin dhe Ndoj në spital pas atentatit, ku mbeti i vrarë shoferi i prokurorit, Andi Maloku.
Si ndodhi pengmarrja
Indrit Beqiraj, së bashku me vëllain e tij, Gentianin ishin duke qarkulluar me një motor ‘Piaggo’ nga Durrësi në drejtim të Tiranës. Ato u përplasën nga një mjet, i cili kishte brenda 4 persona. Vëllezërit shkuan për t’u sqaruar mirëpo u konfliktuan. Pasi 4 personat i dhunuan, ata morën Indrit Beqirajn me vete, por e liruan pas 2 orësh.
NJOFTIMI I POLICISË:
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, operacioni policor i koduar "Wanted". I shpallur në kërkim për heqje të paligjshme të lirisë, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga pranga 33-vjeçari.
Si rezultat i kontrolleve të kryera në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës, është finalizuar operacioni policor i koduar "Wanted".
Gjatë operacionit, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi A. B., 33 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi më datë 02.05.2023, Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim.
Ky shtetas akuzohet se më datë 02.10.2022, në Maminas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, i ka hequr lirinë shtetasit I. B., banues në Durrës.
Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
/ZËRI