
SHKODËR- 35-vjeçari Emirjon Mirush Hasaj, i cili ishte shpallur në kërkim pasi plagosi një 32-vjeçar në muajin shkurt të këtij viti është arrestuar. Ngjarja ndodhi më 29 shkurt në Koplik, ku pas një konflikti për motive të dobëta, Hasaj qëlloi me armë zjarri në këmbë Genti Dulaj.
Ndaj tij, Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” pasi akuzohet për “plagosja e rëndë me dashje” dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
"Në vijim të kontrolleve bazuar dhe në inteligjencën policore, për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, kapën në Bajzë dhe ndaluan shtetasin E(M). H., 35 vjeç, banues në fshatin Pjetroshan. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Ky shtetas më datë 29.02.2024, në Koplik, dyshohet se për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë dhe ka plagosur në këmbë shtetasin G. D., 32 vjeç", njofton policia. /ZËRI