TIRANË- Shqiptarët kanë arritur të mbledhin brenda pak orësh 200.000 euro për modelen dhe influenceren shqiptare, Dajana Kalo. Pas thirrjeve dhe apelit të familjarëve dhe personazheve të njohur të ekranit, shqiptarët janë përgjigjur duke mbledhur shumën e nevojshme për operacionin dhe rikuperimin e modeles, e cila ka pësuar hemorragji cerebrale si pasojë e një MAV (Malformacion Arteriovenoz).
Modelja ndodhet në QSUT prej 29 Dhjetorit. Aktualisht, ajo nuk është në gjendje të lëvizë dorën dhe këmbën e djathtë dhe ka nevojë për kujdes mjekësor të specializuar. Mjekët kanë vlerësuar se ajo ka nevojë për kujdes të specializuar dhe ndërhyrje urgjente, ndërsa në ditën në vijim pritet t’i nënshtrohet një operacioni shumë delikat në tru. Për shkak të kostove të larta që përfshin operacioni dhe trajtimi pasues, është hapur një faqe GoFundMe me qëllim mbledhjen e fondeve për të ndihmuar Dajanën dhe familjen e saj në këtë moment kritik.
Familjarët dhe miqtë apelojnë për solidaritet, duke theksuar se çdo kontribut, sado i vogël, është me vlerë të madhe. Përveç kontributeve financiare, fjalët e mbështetjes janë po aq të vlefshme për t’i dhënë forcë dhe shpresë modeles./ZËRI