
TIRANË- Kuvendi i Shqipërise ka njoftuar se seanca që do të mbahej ditën e nesërme (19 shtator) është shtyrë për një ditë tjetër. Shkak për shtyrjen e seancës plenare janë bërë homazhet që do të mbahen nesër për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Gerti Bogdani. Kuvendi do të organizojë zhvillimin e homazheve ditën e enjte, ora 10:00-12:00, në sallën e seancave plenare.
Ndërkohë, nga ana tjetër, edhe në selinë e Partisë Demokratike ka shenja zie për ndarjen nga jeta të politikanit. Është njoftuar se PD ka shpallur ditë zie ditën e enjte, datë 19 shtator. Gjithashtu në Tiranë, në degën qendrore por edhe në rrethe, flamuri do të ulet në gjysmështizë.
"Në nderim të figurës së ish-deputetit Gert Bogdani, Partia Demokratike ka shpallur ditë zie ditën e enjte, datë 19 shtator 2024.
Të gjitha aktivitetet e Partisë Demokratike në datat 18 dhe 19 shtator në të gjithë territorin do të anulohen.
Në të gjitha selitë e Partisë Demokratike flamuri kombëtar dhe flamuri i PD do të ulen në gjysmështizë dhe në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje në të gjitha selitë e Partisë Demokratike." ka njoftuar Partia Demokratike.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani ka ndërruar jetë sot, pas një arresti kardiak. Edhe pse tentuan që t'i japin ndihmën e parë, 45-vjeçari mbërriti në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Teresa" pa shenja jete.
Pas shpërndarjes së lajmit, menjëherë kanë nisur reagimet dhe ngushëllimet që kanë shpërndarë kolegët e tij në rrjetet sociale. Ndër politikanët që kanë reaguar për ndarjen e tij nga jeta janë kryeministri Edi Rama; ish-kryedemokrati Lulzim Basha dhe shumë kolegë të Partisë Demokratike dhe jo vetëm./ZËRI