Aktualitet

Skandali i “Wisdom”/ Manastirliu: I kemi bllokuar që në korrik! Kolegji 'vazhdonte programin', kërkonte pedagogë

Ministrja theksoi se ka pasur një grup pune kontrolli të këtij insititucioni arsimor që nga viti 2019 dhe janë konstatuar një sërë shkeljesh.

k.m.
Skandali i “Wisdom”/ Manastirliu: I kemi bllokuar që në
Ogerta Manastirliu

TIRANË- Kolegji Universitar "Wisdom" e kishte të ndaluar që të pranonte studentë të rinj për vitin akademik 2024-2025. Të paktën kështu pretendoi dje zyrtar Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Në një reagim zyrtar, MAS tha se kishin nisur një hetim me një grup pune për Kolegjin, ndërkohë theksuan se i kishin ndërprerë pranimin e studentëve të rinj. Të njëjtën deklaratë e "përforcoi" edhe ministrja Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së saj në emisionin "Opinion". Ministrja theksoi se ka pasur një grup pune kontrolli të këtij insititucioni arsimor që nga viti 2019 dhe janë konstatuar një sërë shkeljesh.

"Në gjithë këtë infrastrukturën e re të arsimit të lartë ne kemi tashmë institucione që akreditojnë programet e studimit, kolegjet, universitetet, që janë të pavarura nga Ministria, por vetë Ministria vlerëson periodikisht aktivitetin e tyre. Në Dhjetor 2023, në vijim të verifikimit të ligjshmërisë ka filluar për 12 institucione publike dhe private pikërisht inspektimi i ligjshmërisë. Për këtë institucion masat janë marrë. Grupi i punës që ka qenë në kontroll përgjatë gjithë këtyre muajve ka arritur në përfundimin se rekomandimi është mbylja e këtij institucioni. Kemi marrë masat që në Korrik! Kemi raportin e grupit të punës. Janë një seri shkeljesh përgjatë viteve që është ushtruar ky kontroll. Kemi konstatuar disa elementë të programit të studimit të pamiratuara nga Ministria, ka konstatuar regjistra themeltarë sepse tani po bëjmë një reformë totale për sistemin online të numrit të amzave, këto regjistra kanë pasur problematika që janë zbardhur. Është punuar për një periudhë nga viti 2019 deri në 2022-in për këtë institucion dhe të tjera. Jo vetëm që janë kontastuar dhe jemi në procedurat e mbylljes, ne në Korrik nuk u kemi akorduar apo çertifikuar kuota për hapjen e tij,"-tha Manastirliu.

Por edhe pse studentë të rinj nuk kanë pasur, gjithmonë sipas MAS, kjo nuk e ka ndaluar Kolegjin që të kërkojë rekrutë të rinj për të dhënë mësim në auditoret e tyre. ZËRI ka gjetur në faqen e tyre zyrtare një njoftim që lajmëronte hapjen e një konkursi për vende të punë pranë "Wisdom".

Skandali i “Wisdom”/ Manastirliu: I kemi bllokuar që në
Njoftimi

"Vende vakante, kërkohen pedagogë në fushat: informatikë, financë, matematikë, psikologji klinike, shkenca mjekësore, e drejtë penale dhe civile,"-shkruhej në faqen e tyre zyrtare. Njoftimi për vendet e reja të punës ishte dhënë që në datën 9 shtator, e afati i fundit i aplikimit ishte dita e sotme.

Skandali u bë publik fillimisht në shtypin italian, të cilët njoftuan se në pranga kishin përfunduar 9 persona dhe u ishin sekuestruar gati 10 milionë euro, para që mendohet se ishte përfituar nga falsifikimi i diplomave. Mes të arrestuarve janë dhe pronarët e këtij kolegji me bazë në Shqipëri. Nga hetimet e zhvilluara, autoritetet italiane thonë se për një diplomë përfitoheshin deri në 8 mijë Euro. Ndërkohë që në vendin tonë ende nuk është njoftuar nisja e një hetimi për rastin, edhe pse në dosjen e Prokurorisë italiane flitej për një zyrtare të lartë, Shqiponja Telhaj që kishte marrë ryshfet (çantë Louis Vuitton). E po ashtu, në një episod tjetër përmendej edhe ish-ministrja e Arsimit, Evis Kushi./ZËRI

Poll

MOS HUMB