
SHKODËR- Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka vendosur uljen e pagës deri në 40% për prokurorin e Shkodrës, Agron Bushati. Ky vendim disiplinor vjen pas një hetimi të kryer nga ILD, i cili konstatoi se prokurori kishte zvarritur në mënyrë të pajustifikuar nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit për një vendim penal të formës së prerë.
Sipas njoftimit të ILD-së, kjo zvarritje ka cënuar të drejtat e të dënuarve me burgim, duke shkaktuar vonesa të paarsyeshme në procesin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.
“Në rastin konkret trajtimi me status të paraburgosuri cënon ushtrimin e të drejtave që ka i dënuari, së pari ai nuk mund të ushtronte të drejtat e tij për përfitimin e lejeve shpërblyese ose kërkesat për ulje dënimi. Si pasojë e mos nxjerrjes së urdhrit të ekzekutimit shtetasi V.Q. ka kërkuar në gjykatë njohjen si periudhë paraburgimi të periudhës së mosekzekutimit të vendimit. Pas nxjerrjes së urdhrit të ekzekutimit ky shtetas ka përfituar 3 herë ulje dënimi.
Shkeljet disiplinore nga ana e magjistratit A.B. janë kryer me pakujdesi, duke qenë prokurori i ngarkuar dhe me përgjegjësinë e zyrës së ekzekutimit të vendimeve penale.
Në raport me faktet e provuara në këtë proces hetimi disiplinor, rezulton se sjellja e magjistratit subjekt hetimi disiplinor, mund të krijojë terren për sjellje të papërshtatshme, edhe në rastet të tjera të ngjashme.
Nga hetimi disiplinor i ILD konkludohet se veprimet/mosveprimet e magjistratit, përbëjnë shkelje disiplinore që cënojnë figurën e magjistratit dhe besimin e publikut tek drejtësia, dhe i propozohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që prokurorit A.B., t’i caktohet masa disiplinore “Ulja përkohshme e pagës deri në 40% për një periudhë deri në 1 vit”, e parashikuar nga neni 108 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 102, pika 1, shkronja “d” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, thuhet në njoftimin e ILD-së.