BRITANI- Një 33-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Ibrahim Sollaku, është dënuar me 10 vite burg, pasi akuzohet se ka trafikuar emigrantë nga Belgjika në Mbretërinë e Bashkuar dhe për tregti droge. Vetë 33-vjeçari me vendbanim në Angli, ka pranuar para gjykatës se kishte bashkëpunuar me persona të tjerë për të transportuar pesë emigrantë nga Belgjika në Mbretërinë e Bashkuar nëntorin e kaluar, pasi ata mbërritën në Evropë nga Shqipëria.
Sipas mediave të huaja, i riu shqiptar kishte organizuar të gjithë planin për të trafikuar emigrantët nga Belgjika me destinacion Britaninë e Madhe. Për këtë, ai kishte gjetur një shofer taksie që t’i çonte emigrantët në një port belg, ku ata do të ngarkoheshin në një kamion për udhëtimin përmes Kanalit. Pasi të arrinin në Mbretërinë e Bashkuar, ata do të merreshin nga një shofer tjetër taksie dhe do të zhdukeshin në zona të ndryshme.
Më 5 nëntor, policia belge ndërhyri me shpejtësi dhe arrestoi shoferin e taksisë, pesë shqiptarët në Bruges dhe po atë ditë, u arrestua dhe Ibrahim Sollaku në Mbretërine Bashkuar. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, policia gjeti dhe sekuestroi 105 gramë kokainë të mbështjellë me qese plastike dhe 36 gramë të tjerë në 94 tuba plastike. Policia gjeti gjithashtu shënime të shkruara me dorë dhe shuma parash që dyshohej se lidheshin me furnizimin me drogë.
Në seancën e tij dëgjimore për pranimin e fajësisë në dhjetor, Sollaku pranoi se posedonte një drogë të klasit A me qëllim shitjen e saj. Ndërsa sot, ai u burgos për një total prej 10 vitesh në Gjykatën e Kurorës në ëinchester./ZËRI