
TIRANË- SPAK njoftoi sot sekuestrimin e pasurive të shtetasit nga Kosova Princ Dobroshi, i cili është nën hetim nga autoritetet gjermane për trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike. Dobroshi nuk është një emër i panjohur, pasi edhe në dhjetor të vitit të kaluar u raportua si i arrestuar nga policia shqiptare, mirëpo në njoftimin e SPAK, nuk specifikohet nëse tashmë ai ndodhet nën një masë sigurie.
Në Shqipëri Dobroshit iu sekuestuan 10 llogari bankare me rreth 133 mijë euro gjendje, një vilkë dykatëshe në gjirin e Lalzit, 3 apartamente në Tiranë, në zonën e Kodrës së Diellit dhe te Liqeni i thatë, një automjet i vitit 2015, si dhe një shoqëri tregtare me emrin ‘SLAI’.
Pasuritë ishin në emër të tij, kunatit si dhe famijarëve të tyre, ndërsa Dobroshi ka një sërë pronash dhe biznesesh edhe në Kosovë, në vendin e tij të lindjes.
59-vjeçari nga Peja e nisi ‘karrierën’ e tij në fushën e krimit, në fund të viteve ’80, kohë në të cilën do të emigronte jashtë Kosovës, ndërsa disa vite më vonë, do të niste dhe trafikun e drogëve dhe armëve.
Dobroshi, i cili njihet dhe me nofkën Peshkaqeni, është arrestuar në vitin 1993 në Norvegji, shtet u cili e kishte dënuar me 14 vite burg për trafikun e heroinës. Por në vitin 1997, vetëm 4 vite nga arrestimi, Dobroshi do të arratisej në mënyrë spektakolare nga burgu, duke u vendosur në Çeki ku raportohet se ka dominuar trafikimin e drogës atje.
Autoritetet çeke kishin raportuar se dokumentacioni i gjetur te Dobroshi, jepte indikacione se paratë e fituara prej tij, do të dërgoheshin në Kosovë, për të ndihmuar në blerjen e armëve për UÇK-në.
I arrestuar në Çeki, Dobroshi më pas u dorëzua sërish te autoritetet norvegjeze. Kur po çohej të merrej në pyetje, minibusi me të cilin po transportoheshin gjykatësit, mbrojtësit dhe avokatët kishte pësuar aksident të rëndë nga i cili mbetën të vrarë tre njerëz. Prej asaj kohe, Dobroshi ishte cilësuar nga autoritetet norvegjeze si i burgosuri më i rrezikshëm në atë vend.
Për habi, ai ishte liruar më pas për “sjellje të mirë” në janarin e vitit 2005. Dhe pas pak kohësh do të vinte për të jetuar në Kosovë, ku ka hapur disa biznese në fushën e lojërave të fatit.
Dobroshi kishte pasur shoqëri me Arfan Qadeer Bhattin, një i arrestuar në Norvegji me akuzat se kishte planifikuar të kryente sulme terroriste ndaj ambasadës së Izraelit dhe asaj të Amerikës në Osllo të Norvegjisë. Emri i tij në mediat shqiptare do të përmendej shumë vonë, vetëm në vitin 2019, kur ai ishte bërë pjesë e një përplasje fizike në Pejë.
Tashmë ai ka llogari të hapura me drejtësinë gjermane, njësoj si dhe kunati i tij Olsi Syziu, ndërsa kanë humbur një pjesë të pronave në Shqipëri. /ZËRI