TIRANË- Historia tronditëse e një vajze kolumbiane, Andrés, u raportua një muaj më parë në mediat shqiptare. Ndërsa sot, mësohet se vajza është rikthyer në vendlindje dhe më në fund, mund të rifillojë jetën e pranë familjes së saj.
Vajza e re u trafikua për prostitucion në Elbasan. E gjitha nisi, pasi ajo shpresonte për një punë të rregullt si kujdestare fëmijësh në Shqipëri, por përfundoi viktimë e një rrjeti ndërkombëtar trafikimi në qytetin e Elbasanit. Por historia e saj nuk mbaron me kaq, pas shfrytëzimit nga grupi kriminal, ajo përfundoi edhe pas hekurave. Andrés u dënua me 9 muaj burg për veprën penale të “prostitucionit”, pavarësisht provave të shumta që tregonin qartë se ajo ishte viktimë dhe jo autore.
Fati i keq e ndjek edhe në burg. Vajza u gjend përballë një abuzimi edhe më të madh, prokurori i çështjes, në vend që t’i kthente sendet pas lirimit, i kërkoi të vazhdonte të punonte për të, por vajza e refuzoi. Por, çfarë ndodhi më pas? Pas lirimit nga burgu në korrik të këtij viti, Andres përballet me të tjera probleme pasi nuk kishte ku të shkonte pa asnjë mjet identifikimi.
Megjithatë, një grup aktivistësh lokalë e gjeti Andrés në Elbasan. Ata e strehuan përkohësisht në një ambient të sigurt, e shoqëruan në Tiranë për të dhënë deklaratën e saj pranë Policisë së Shtetit, dhe më në fund, pas shumë përpjekjesh, e ndihmuan të fitonte statusin e “Viktimës nga Trafikimi”.
Megjithatë, ky status erdhi vetëm pasi u sigurua privatisht një përkthyes i gjuhës spanjolle, pasi institucionet shtetërore nuk kishin kapacitete për të ofruar këtë shërbim. Ky fakt ngre një shqetësim të madh për të gjitha viktimat e huaja që nuk kanë ndihmën e askujt dhe që nuk flasin gjuhën shqipe.
Sikur të mos mjaftonte problemi i trafikimit të qenieve, një problem as i thellë dhe i ndërlikuar në Shqipëri, rasti i Andrés ngre një tjetër alarm. Pikërisht, ai i mbrojtjes së viktimave kur përballen me sistemin e drejtësisë dhe institucionet shtetërore. Po ashtu, me shtetaset e huaja që vijnë në Shqipëri nga shtete si Kolumbia, Kina, Rusia etj.
'Andrés' është alrma dhe thirrje të menjëhershme për reformim në sistemin e drejtësisë, për mënyrën se si i trajton viktimat, apo dhe forcimi i bashkëpunimi ndërkombëtar. E gjithë kjo, në mënyrë që raste si ai i Andres të mos përsëriten.
Emri “Andrés” është përdorur për të ruajtur identitetin dhe sigurinë e viktimës.