
TIRANË- Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 27-vjeçarin, Marash Gjoklaj, i cili u vendos në pranga pasi ngacmoi një vajzë në ambientet e punës. Gjoklaj sipas raportimeve të Policisë ka ngacmuar seksualisht në vendin e punës një 19-vjeçare. Gjithashtu në po të njëjtën ditë, i riu kishte ngacmuar dhe kanosur me thikë edhe një 20 vjeçare në “Rrugën e Dibrës”. Para Gjykatës, Gjoklaj ka deklaruar se nuk i ka kryer veprimet për të cilat akuzohet.
Në dëshminë e dhënë në polici, shitësja 19-vjeçare thotë se nuk e njihte personin në fjalë dhe nuk e kishte parë kurrë. Sipas saj ai është futur në ambientet e dyqanit të rrobave dy herë. Herën e parë e ka ngacmuar me fjalë, ndërsa herën e dytë ka tentuar të abuzojë seksualisht. Në dosjen e publikuar nga Euronews, shitësja pohon se Gjoklaj u afrua te banaku dhe me fjalë fyese, e kapi nga dora dhe tentoi ta fuste në magazinë, duke e goditur.
Pjesë nga dosja mbi dëshminë e shitëses:
Rreth orës 20:45 ai ka shkuar përsëri te dyqani dhe ka shkuar direkt te banaku ku qëndronte shitësja. I është afruar dhe i ka thënë fjalët: Do ta provosh pak k*** dhe më pas i ka kapur flokët, duke i bllokuar gojën dhe ka tentuar ta fus te pjesa tjetër e banakut, ku është magazina. Në këto kushte ajo ka kundërshtuar dhe është përleshur me shtetasin në fjalë, ku ai më pas e ka dëmtuar te pjesa e duarve, tek kyçi i djathtë si dhe e ka goditur tek pjesa e syrit të djathtë, duke i shkaktuar një hematomë dhe skuqje kësaj shtetaseje.
Pas kësaj ngjarje ajo ka arritur të dalë jashte dyqanit dhe të kërkojë ndihmë në rrugë, ndërsa ai është larguar për në dreitim të vendit të quajtur Selvia pa nxituar dhe pa asnjë problem. Në deklarimin e sajë kjo shtetase shton se ajo nuk e njeh këtë person dhe nuk e ka parë kurrë si dhe kishte shenjë karakteristike pasi kishte një dëmtim tek pjesa e kokës mbrapa. Pjesa prapa kokës qe dukej si plagë e qepur.
Para togave të zeza 27-vjeçari deklaroi këtë të hënë se nuk i ka kryer veprimet për të cilat akuzohet. Policia thotë se Gjoklaj ka qenë i dënuar më parë me 4 vite burg për “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe aktualisht gëzonte lirinë me kusht.
I dënuar më parë me 4 vite burg për përdhunim, Marash Gjoklaj sapo kishte dalë nga burgu. 27-vjeçari u arrestua këtë fundjavë, pasi u denoncua nga një 19-vjeçare me pretendimin se e kishte ngacmuar seksualisht në ambientin e saj të punës.