
TIRANË- Nis sot viti i ri akademik, me rreth 19 800 studentë që do të ulen për herë të parë në auditore, rreth 400 më shumë se viti i kaluar 2022-2023. Shifra është si për Universitetet Publike, ashtu edhe ato private. Ky vit i ri akademik ka nisur me protestë dhe bojkot në Universitetin e Mjekësisë së Përgjithshme në Tiranë, ku 400 studentët e kësaj dege, do të jenë të detyruar me një Vendim të Këshillit të Ministrave që të punojnë në Shqipëri 5 vite pas përfundimit të cikleve të studimeve.
Por megjithë rezeravat e këtij kushti që u kundërshtua edhe në verë, kur ishte në fazën e diskutimeve në Komisionet Parlamentare të gjitha kuotat e mjekësisë janë plotësuar, duke e bërë atë një prej degëve më të kërkuara nga gjimnazistët, në nisje të rrugës universitare.
Për studentët e viteve më të larta të Mjekësisë, kushti është që të qëndrojnë të punojnë në Shqipëri për 3vite në të kundërt do të paguajnë tarifën e plotë të shkollimit.
Studentët e Mjekësisë gjatë komunikimit që patën sot me median, zbuluan se do të kenë një takim me Rektorin e Mjekësisë dhe Ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu. Edhe sot ata përsëritën thirrjet e tyre të revoltës dhe të zemërimit me vendimin e qeverisë.
Jam student i revoltuar
Ndaj vendimit të miratuar
Refuzoj unë kompromisin
Që të rrimë duhet të na nxisin
Nuk paguaj nuk paguaj
Asnjë lekë për krizën tuaj
Studentët që zgjedhin degët prioritare, mësuesi, bujqësi do të financohen çdo muaj me bursë në vlerën e pagës minimale, 40 mijë lekë të rinj. Kjo bursë do të jepet gjatë gjithë viteve të studimeve të larta pavarësisht rezultateve të studentit. Pas përfundimit të universitetit studentët e degëve prioritare duhet të punojnë të paktën 3 vite në atdhe.
Në nisje të këtij viti akademik, një prej sfidave të Universiteteve shqiptare është përafrimi i programeve me ato të universiteteve europiane. Por duket se jemi ende shumë larg universiteteve europiane, duke marrë parasysh dhe vlerësimet e bëra së fundi nga dy renditësit më të rëndësishëm të universiteteve në botë.
Sipas klasifikimit të tyre, katër universitete shqiptare, ai i Tiranës, Universiteti Bujqësor, i Durrësit dhe Universiteti Politeknik, kanë rënë me 200 vende nga renditja e vitit të kaluar. Ndërsa më të mirët në rajon vlerësohen 3 universitete në Serbi, 2 në Bosnjë dhe 1 në Maqedoni. Të katrërt universitetet shqiptare renditen poshtë vendit të 600 nga 688 universitete të marra gjithsej në shqyrtim.
-
Universitetet shqiptare renditen në fund mes 688 universiteteve të botës
30 Shtator, 08:42
Në total në të gjithë vendin, llogariten që të jenë 120 mijë studentë, 75% e të cilëve kanë zgjedhur institucionet publike. Veç Mjekësisë dhe Infermieria është një prej degëve më të preferuara nga studentët, duke plotësuar të gjitha kuotat e lira.
Në këtë vit akademik, impakt ka patur në degët e bujqësisë ku dhe është shënuar një rritje të numrit të studentëve.
Ndërkohë që në degët që të çojnë në mësuesi numri i regjistrimeve të studentëve mbetet i ulët, madje në degë si Kimi, Fizikë dhe Matematikë, regjistrimet janë në nivele minimale./Zëri.ai