
KOSOVË- Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ditën e sotme (11 shtator), lidhur me sulmin terrorist që ndodhi në shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë Afrim Bunjaku. Kryeprokurori Blerim Isufaj njoftoi se aktakuza përfshin 45 persona të akuzuar.
Ngritja e aktakuzës vjen gati një vit pas incidentit, ndërkohë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë kritikuar në vazhdimësi vonesën e Prokurorisë Speciale për veprimin e saj. Prokurori i çështjes, Naim Abazi, ka konfirmuar se ndër të akuzuarit kryesorë është edhe Milan Radojçiç.
“Kemi realizuar 65 intervista, janë analizuar 150 pajisje elektronike, mbi 1 mijë armë, dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë rast. Kemi hasur në disa sfida të bashkëpunimit. Megjithatë, përkushtimi ynë për ta ndriçuar këtë rast, ka qenë shtytësi kryesor ta tejaklojmë këtë sfidë. Aktakuza përfshin 45 persona me role të ndryshme brenda këtij grupi kriminal, duke filluar nga grumbullimi i grupit. Ndër të akuzuarit kryesor është Milan Radoiçiç që ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale. Kemi bërë dhjetëra kërkesa në shtete të ndryshme ku kemi arritur të sigurojmë dëshmi të ndryshme. Këto kërkesa kanë qenë jetike për të siguruar burimet e financimit, për ngritjen e aktakuzës së fuqishme”, tha Abazi.
Një vit më parë, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra efektivi Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij. Ishte ora 02:34 e mëngjesit, kur një patrullë e policisë së Kosovës, vuri re se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë, ishin vendosur si bllokadë dy kamionë pa targa, duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e mjeteve. Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët e policisë së Kosovës u përballën me rezistencë, ku nga disa pozicione të ndryshme ndaj tyre u qëllua me armë dhe me granata dore, e për pasojë humbi jetën Bunjaku. /ZËRI