Aktualitet

“Nuk është e drejtë të thuash po hetojmë sterilizimin”, Rrjepaj: Kryhen dhe 4 shërbime të tjera brenda projektit

Klodian Rrjepaj u dërgua me pranga në duar në Komisionin Hetimor për Koncensionet në Shëndetësi

Zeri
“Nuk është e drejtë të thuash po hetojmë
Klodian rrjepaj

TIRANË- Ish-zëvendës ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj është duke raportuar në komisionin hetimor për koncensionet në shëndetësi, pasi iu dha leje nga Prokuroria e Posaçme. Rrjepaj i cili ndodhet në paraburgim prej më shumë se një viti, tha se ka një emërtim të gabuar, kur thuhet se po hetohet për sterilizimin, pasi ky koncension përfshin edhe shërbime të tjera.

“Të thuash po hetojmë projektin e sterilizimit nuk është e drejtë. Është në kurriz të gjithë aktiviteteve të tjera që kryhen brenda këtij projekti. Sterilizimi është një shkurtim gjuhësor që nuk ka ardhur si rastësi. Ka qenë një tjetërsim, dhe ndoshta nuk ka qenë rastësi që debati dhe analiza me konkluzionet kanë ardhur si devijim i përkufizimit të këtij projekti.

Do të ishte mire që kur themi sterilizimi të kuptojmë një projekt që ka objektin e vet, ofrimin e setit të instrumenteve, ofrimin e veshjeve një-përdorimshe për personelin mjekësor, dezinfektimin e sallave, trajtimin e mbetjeve me risk biologjik si dhe administrimin e repartit qendror të sterilizimit. Këto elementë përmbajnë projektin që nuk është vetëm sterilizimi”, tha Rrjepaj.

Pjesë nga diskutimet në Komision

Klodjan Rrjepaj: Jam në dijeni të masterplanit të QSUNT të përgatitur nga kompania gjermane, kam qenë dhe prezent në një nga inaugurimet që janë bërë të një pjese të spitalit të ri të Urgjencës. Pjesa e përgatitur nga TopConsult i ka përkitur vetëm investimit në repartin qëndror të sterilizimit në katin -1 të Urgjencës, qoftë në hapësirë në metra katrorë, qoftë në pajisje. Kjo ka qenë kontrata.

Albana Vokshi: Në këtë masterplan kishte edhe komponentë të tjerë që është krijimi i investimit në repartin qëndror të sterilizimit. Sa ishte vlera totale e këtij investimi?

Klodjan Rrjepaj: Pjesa e investimit në pajisje teknologjie ka qenë 0.8 milionë Euro, ndërkohë që për pjesën e hapësirës së infrastrukturës ka qenë 0.6 milionë. Por nuk jam shumë i saktë për këtë.

Albana Vokshi: Ish-ministrja e QSUNT Ogerta Manastirliu, në Shkurt 2014 i është drejtuar ministrit Ilir Beqaj informacion mbi gjendjen e sistemit të sterilizimit në QSUT, në këtë shkresë ish-drejtoresha ka paraqitur gjendjen aktuale të repartit, ka vënë edhe fotot përkatëse dhe i ka kërkuar ministrit Beqaj dhe ka theksuar qëllimin e punës, ka përshkruar kapacitetin e përpunimit.

Klodjan Rrjepaj: Nuk jam në dijeni të gjithë masterplanit, jam në dijeni të projektit që kishte TopConsult, jo në lidhje me memon që thoni nuk e kam parë në atë kohë, e kam parë më vonë. Jam në dijeni të projektit që TopConsult ka bërë aty.

Ky është rasti i parë kur deputetët marrin në pyetje një të paraburgosur. Përveç ish-zëvedësministrit do të merren në pyetje edhe dy prej anëtarëve të komisionit që shpalli fituesin e koncesionit, Marsela Serjani dhe Petro Mersini.

Ndërkohë, më 3 tetor, pritet të dëshmojë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili është nën hetim nga SPAK për sterilizimin, por aktualisht është në burg për një tjetër dosje, për abuzimin me fondet e BE-së./ZËRI 

Poll

MOS HUMB