
TIRANË- Parandalohet një atentat ndaj ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano. Raportohet se një grup kriminal ka tentuar të eleminoi fizikisht ish-kryepolicin. Grupi që kishte thurrur planet për vrasjen e Nanos, dyshohet se është hetuar nga ky i fundit në kohën kur ishte pjesë e Antiterrorit. Emri i grupit nuk bëhet me dije.
Ndërkohë raportohet se Gledis Nano nuk është vënë në dijeni nga Policia për këtë informacion, si dhe ndaj tij nuk është marrë asnjë masë sigurie. Mesazhi që ka alarmuar autoritetet e vendit tonë ka qenë: “Do marr hak, armët i kam fshehur në një vend të sigurt”, raporton WebLajm. Mesazhi në fjalë është përgjuar disa ditë më parë. Policia ende nuk ka reaguar zyrtarisht në lidhje me ngjarjen. Ndërkohë dhe vetë Nano nuk ka pasur asnjë reagim.
Gledis Nano u emërua në krye të Policisë së Shtetit më 7 tetor të vitit 2021 dhe qëndroi në detyrë për 10 muaj. Më pas u shkarkua nga Kryeministri Edi Rama, pasi nuk pranoi të dorëhiqej. Vendin e lënë bosh nga Nano e zuri Muhamet Rrumbullaku, i cili vijon të jetë në detyrë./ZËRI