
DURRËS- Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Light”, i cili çoi në arrestimin e një shtetasi të dyshuar për disa raste vjedhjesh të kabujve elektrikë të ndriçimit publik në qytet.
Shtetasi A. V., 35 vjeç, banues në Durrës, është vënë në pranga pas hetimeve të kryera nga Komisariati i Policisë Durrës, të mbështetura edhe nga informacionet e marra përmes bashkëpunimit me qytetarët. Nga të dhënat e mbledhura, dyshohet se ai është autor i një serie vjedhjesh të kabujve elektrikë në zona të ndryshme të qytetit, duke shkaktuar ndërprerje të ndriçimit në disa segmente rrugore.
Aktualisht, vijojnë hetimet për të dokumentuar tërësisht ligjërisht rastet e evidentuara dhe për të zbuluar nëse i arrestuari është i përfshirë edhe në vjedhje të tjera të ngjashme.
Sipas policisë materialet procedurale për këtë rast në ngarkim të 35-vjeçarit i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore./ZËRI/