
TIRANË- Detaje të reja janë bërë me dije në lidhje me “Operacionin Vula”. Raportohet se Çlirim Bregu dhe Arben Rushiti, nuk ishin emra të panjohur për policinë sa i përket falsifikimit. Por me sa duket vitet e fundit aktiviteti i tyre ishte sofistikuar duke prodhuar dokumente të falsifikuara, por dhe duke zgjeruar kufijtë e pronave dhe certifikatat e pronësisë. Aktiviteti i tyre i paligjshëm ishte përqëndruar kryesisht në Yzberisht, Kashar dhe Kamëz, por dhe në zona të tjera. Ishin përgjimet ato, që fundosën dyshen dhe faktuan me prova shkeljet e tyre.
Si funksiononte baza
Në kompaninë e zbuluar në Yzberisht falsifikoheshin leje qarkullimi, libreza, deklarata noteriale, dokumente shkollore, dëshmi të aftësive profesionale, dëshmi aftësimi profesional për taksi, dëftesa pjekurie, akte të marrjes së tokës në pronësi, e plotë të tjera. Ata që kishin interes për një dokument të tillë fals paguanin nga 500 deri në 5 mijë euro.
Arrestimi i pronarit dhe dy punëtorëve të tij
Policia, pasi ndërhyri brenda ambienteve të biznesit “Uni Trans sh.p.k”, arrestoi Çlirim Bregun 53-vjeç, bashkëpronar në këtë biznes që ushtronte veprimtarinë e paligjshme, i arrestuar dhe skeduar më herët për kontrabandë të verërave. Në pranga përfundoi edhe punonjësi i biznesit, Arben Rushiti, 55 vjeç, dhe 54-vjeçari Fatos Shima, i cili u ndalua në flagrancë duke marrë një certifikatë pronësie të dyshuar të falsifikuar.
Brenda ambienteve të firmës u gjetën 210 shishe me verë kontrabandë, një zakon i vjetër i pronarit Çlirim Bregu. Ky i fundit, përveç gjithë paligjshmërisë mbi falsifikimin e dokumenteve, nuk kishte të siguruar asnjë prej punonjësve që punonin në firmën e tij. Bregu rezulton i dënuar më parë, pasi në dhjetor 2018 u arrestua pasi tentoi që të fusë në vendin tonë 8 mijë litra verë kontrabandë. /ZËRI