
MAMINAS- Ka zgjatur më shumë se 5 orë lufta me flakët në fabrikën e bojërave që u përfshi nga flakët në zonën pranë Maminasit mbrëmjen e djeshme. Përveç dëmeve të pallogaritshme materiale, si dhe ndotjes tejet të madhe në zonë, disa punonjës zjarrfikës kanë pasur probleme shëndetësore.
Një pjesë e tyre janë toksikuar (helmuar) nga lëndët që po digjeshin në fabrikë. Ata janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore, deri në stabilizimin e gjendjes shëndetësore. Zjarri u vu nën kontroll vetëm pas mesnate, ndërkohë që Arben Cara, drejtori i trajnimeve të MZSH, deklaroi se kanë ndërhyrë me solucion kimik për izolimin e flakëve.
Që pas njoftimit për zjarrin e rënë në atë biznes, situata paraqitej e rëndë, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar ose viktima.
-
Zjarri i madh në fabrikën e bojrave në autostradën Tiranë-Durrës
23 Shtator, 22:56
Në ambientet e fabrikës gjatë momentit të shpërthimit të vatrës së zjarrit nuk ka pasur punonjës brenda në fabrikë. Sipas autoriteteve, pranë objektit në momentin e flakëve kanë qenë vetëm rojet të cilët janë larguar në kohë.
Ndërkohë policia kërkoi devijimin e qarkullimin dhe rekomandoi që shoferët të shmangnin kalimin në autostradën Tiranë-Durrës.
Shërbimet policore ndërhynë mbrëmjen e djeshme për të evakuuar dhjetëra qytetarë që ndodheshin në një lokal dasmash në zonë. Dasmorët kanë qenë duke festuar, kur zjarri masiv që ka përfshirë fabrikën ka ndërprerë gëzimin, dhe e ka kthyer ditën e tyre më të lumtur, në ditën për t’u harruar/ Zëri.ai