Aktualitet

“Pastrim parash” 1 mln euro/ Sekuestrohet “Empire Investment” e Elisabeta Dostit, u tentua shitja e aksioneve në SHBA

Ky transaksion nga Romina te Romina duket se është konsideruar i dyshimtë nga Prokuroria e Tiranës, e cila, në mesin e marsit të këtij viti, i dërgoi gjykatës kërkesën për vendosjen e masës së "sekuestros parandaluese" për kompaninë "Empire Investment Solution".

Redaksia Zëri
“Pastrim parash” 1 mln euro/ Sekuestrohet “Empire
elisabeta dosti-dokumenti

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka vendosur nën sekuestro shoqërinë “Empire Investment Solution”, e lidhur me biznesmenen Elisabeta Dosti, në kuadër të një hetimi për dyshime mbi pastrim parash me vlerë rreth 1 milion euro. Kjo masë vjen pas një tentative të dyshuar tjetërsimi të aksioneve të kompanisë në një subjekt tregtar të regjistruar në Nju Jork, që rezulton se zotërohet nga vajza e saj, Romina Dosti. 

Sipërmarrësja Dosti u vu nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” në fund të nëntorit 2025, pasi Prokuroria e Tiranës dyshon se ajo ka kryer veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale” nëpërmjet një sërë transaksionesh me kompani në pronësi të saj. Ajo u lirua në fund të dhjetorit 2025, pasi pagoi një garanci lirimi me kusht, ndërsa prokuroria vazhdoi hetimet e saj.

Në qendër të skemës së dyshuar është kompania “Empire Investment Solution”, e themeluar nga Elisabeta Dosti në vitin 2013, me emrin fillestar “Ela-Ela Trouble” shpk. Në vitin 2015, themeluesja ia dhuroi aksionet vajzës së saj, Romina Dosti.

Pasi gjykata e Tiranës caktoi një masë sigurie për nënën e saj, Romina Dosti ka filluar veprimet për transferimin e aksioneve, duke i transferuar ato nga njëra dorë në tjetrën.

Më 13 shkurt 2026, Romina Dosti vendos t’ia dhurojë të gjitha aksionet e kompanisë “Empire Investment Solution” një kompanie amerikane, “First American Global Group”.

“Pastrim parash” 1 mln euro/ Sekuestrohet “Empire
vendimi per transferimin e aksioneve

Të dhënat e siguruara nga “Boldnews.al” tregojnë se aksioneri, i regjistruar në Nju Jork, është gjithashtu në pronësi të Romina Dostit.

Ky transaksion nga Romina te Romina duket se është konsideruar i dyshimtë nga Prokuroria e Tiranës, e cila, në mesin e marsit të këtij viti, i dërgoi gjykatës kërkesën për vendosjen e masës së "sekuestros parandaluese" për kompaninë "Empire Investment Solution".

Gjykata e kryeqytetit, me një vendim të datës 20 mars 2026, pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke vendosur: “Caktimin e masës së sigurimit të pasurisë personale “Sekuestro Parandaluese” të parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale mbi kuotat/asetet që përfshijnë: pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, tituj pronësie ose të drejta të tjera reale që rrjedhin nga kontratat që lidhen me pasuritë e paluajtshme në pronësi të personit nën hetim “Empire Investment Solution” shpk me Nipt L32105030V”.

Skemë e dyshuar prej 1 milion eurosh

Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim bazuar në dy shtetas, të cilët rezultojnë të jenë aksionerë minoritarë në një ish-ndërmarrje publike "Prodhimi i Veshjeve Nr. 2" Tirana", e cila pas privatizimit kishte Elisabeta Dostin si aksionere kryesore.

Më 7 shkurt 2025, një grua 75-vjeçare, Xhevrije G., dikur teknologe dhe më pas aksionere e vogël në ish-ndërmarrjen publike, "Prodhim Veshë nr.2" Tiranë, ngjitet ngadalë shkallët e Prokurorisë së Tiranës.

Ajo ndihej e mashtruar nga aksionerja kryesore dhe administratorja e kompanisë, Elisabeta Dosti. Xhevrija deklaroi para grupit hetimor se biznesmenja Dosti kishte përfituar shuma të konsiderueshme nga qiraja e ambienteve të ish-ndërmarrjes Prodhim-Veshje Nr. 2 në Tiranë, dhe madje kishte shitur prona të përbashkëta, pa ndarë asnjë fitim me 70 aksionarët e tjerë.

Prokuroria e Tiranës nisi hetimet dhe, pas më shumë se 7 muajsh, arriti në përfundimin paraprak se Elisabeta Dosti kishte ndërtuar një rrjet për transferimin e aseteve të kompanisë me shumë partnerë, në një kompani tjetër private, fillimisht të krijuar prej saj dhe më vonë të transferuar te vajza e saj, Romina Dosti.

"Bingo 1 milion euro"

Prokuroria e Tiranës thotë se, bazuar në kontratat e administruara, ka rezultuar se që nga koha e transferimit të aseteve të pasurive të paluajtshme nga shoqëria "Prodhim Veshë Nr. 2" sh.a. te shoqëria "EIS" sh.p.k. me ortake të vetme Elisabeta Dosti, "kjo e fundit, nëpërmjet kontratave të qirasë, shitjes dhe sipërmarrjes, ka përfituar të ardhura të konsiderueshme duke shmangur aksionarët e tjerë që zotërojnë 6% të aksioneve".

“Pastrim parash” 1 mln euro/ Sekuestrohet “Empire
pjese e dosjes gjyqesore

Prokuroria ka konstatuar se kompania “Empire Investment Solution-EIS” shpk e Elisabeta Dostit, përveç kontratave të qirasë, ka nënshkruar edhe të paktën një kontratë shitjeje, me vlerë sa një “bingo” e vërtetë.

“Kompania “EIS” sh.p.k. ka lidhur një kontratë shitjeje Nr. 7871 Rep., Nr. 3133 Kol., datë 18.12.2019, sipas së cilës i ka shitur asetet Nr. 2./335, Nr. 2/336 dhe Nr. 2/338 kompanisë “Evita” sh.p.k. për një vlerë prej 1,000,000 eurosh”, thuhet në dosjen hetimore, të konsultuar nga “Boldneës.al”.

Kompania blerëse, "Evita" shpk, është e lidhur ngushtë me biznesmenin e spitalit privat, Klodian Allajbeu./ Boldneës.al

Poll

MOS HUMB