TIRANË- Një tjetër qendër e dyshuar mashtrimi në formë call centeri është zbuluar këtë të premte në Tiranë, në kuadër të operacioneve kundër krimiit kompjuterik. Burime pranë policisë bëjnë me dije se është lokalizuar dhe goditur një ambient në zonën e Bërzhitës, ku dyshohet se kryhej mashtrimi i qytetarëve, kryesisht të huaj.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit në ambientin në pronësi ose admnistrim të shtetasi më inciale F.K., u konstatuan prova që sugjerojnë ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm në formën e një call centeri.
“U krye kontroll në një ambient në pronësi/administrim të shtetasit F. K., në fshatin Bërzhitë, ku në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, kryhej mashtrim kompjuterik në formë call centeri”, njoftoi policia.
Nga kontrolli në këtë ambient u sekuestruan disa njësi kompjuterike dhe telefona celularë, të cilët do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të specializuara për të zbuluar rolin dhe përdorimin e tyre në këtë skemë të dyshuar mashtrimi. Po ashtu, hetuesit kanë zbardhur edhe mënyrën se si subjekti kishte tentuar të shmangte kontrollet. Ambienti rezultonte i regjistruar si biznes në fushën e turizmit mjekësor, çka dyshohet se përdorej si mbulesë për aktivitetin e paligjshëm.
“Subjekti është i regjistruar me aktivitet në fushën e turizmit mjekësor, dhe për këtë, shtetasi F. K. ka paraqitur dokumentet. Hetimet vijojnë për të dokumentuar rrethanat e rastit”, sqaroi policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Kjo është goditja e dytë brenda pak ditësh në Tiranë. Jo më larg se pak ditë më parë gjatë një aksioni në kryeqytet u goditën 3 qendra Call-Center. Aksioni çoi në arrestimin e 7 personave dhe të tjerë të shpallur në kërkim. Konkretisht 7 persona me masë 'arrest me burg', 2 në 'detyrim paraqitje' dhe 'ndalim jashtë vendit', si dhe 5 të tjerë të arrestuar në flagrancë. Hetimet 2 vjeçare, kanë nisur në Austri, aty ku ishte kryer veprimtaria kryesore e mashtrimit dhe operacioni u bë bashkë me SPAK dhe Policinë e Shtetit. Sipas hetimeve, kjo veprimtari u ka shkaktuar viktimave humbje që dyshohet se tejkalojnë 50 milionë euro./ZËRI