Bota

Reuters: Putin është gati t'i japë fund luftës në Ukrainë, por ka një kusht

Vladimir Putin është gati të ndalojë luftën në Ukrainë dhe të negociojë një armëpushim që njeh linjat aktuale të betejës, por gjithashtu është i gatshëm të vazhdojë të luftojë nëse Kievi dhe Perëndimi nuk përgjigjen.

k.m.

MOSKË- Presidenti rus Vladimir Putin duket se dëshiron një armëpushim në Ukrainë. Kështu pretendojnë burime ruse, të cilat kanë folur për "Reuters". Sipas burimeve, të cilët janë në dijeni se çfarë po diskuton Putin me këshilltarët e tij, lideri rus ka shprehur zhgënjimin e tij me përpjekjet e Perëndimit për të bllokuar negociatat duke pranuar vendimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për të bllokuar bisedimet. Mesa duket Vladimir Putin është gati të ndalojë luftën në Ukrainë dhe të negociojë një armëpushim që njeh linjat aktuale të betejës, por gjithashtu është i gatshëm të vazhdojë të luftojë nëse Kievi dhe Perëndimi nuk përgjigjen.

"Putini mund të luftojë për aq kohë sa të dojë, por Putini është gjithashtu i gatshëm për një armëpushim - për të 'ngrirë' luftën," tha burimi i katërt, një zyrtar i lartë rus që ka punuar me Putinin dhe ka njohuri për bisedimet vend mes zyrtarëve të lartë në Kremlin. Këto burime kërkuan të mos u përmenden emrat për shkak të natyrës së ndjeshme të kësaj çështjeje.

"Jemi gati për dialog"

Reuters foli me gjithsej pesë persona që kanë punuar me Putinin në një nivel të lartë në politikë dhe biznes. Burimi i pestë nuk ka komentuar mundësinë e 'ngrirjes' së luftës. Ndërsa zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, duke iu përgjigjur një kërkese për koment, tha se shefi i Kremlinit e ka bërë të qartë vazhdimisht se Rusia është e hapur për dialog duke shtuar se gjithashtu presidenti nuk dëshiron "luftë të përhershme". 

Ndërsa ministria e Jashtme dhe e Mbrojtjes e Ukrainës nuk iu përgjigjën pyetjeve.

Deri më tani, Zelenskyy ka deklaruar vazhdimisht se një paqe me kushtet e Putinit është e paqëndrueshme. Ai është zotuar të marrë përsëri territorin e humbur të Ukrainës, duke përfshirë Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014. Në vitin 2022, ai nënshkroi një dekret që deklaronte zyrtarisht çdo bisedë me Putinin "të pamundur". Një nga burimet parashikoi se asnjë marrëveshje nuk do të jetë e mundur derisa Zelenskyy të jetë në pushtet, përveç nëse Rusia e anashkalon dhe arrin një marrëveshje me Uashingtonin. Por Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, duke folur në Kiev javën e kaluar, u tha gazetarëve se nuk besonte se Putini ishte i interesuar për negociata serioze.

Këmbëngulja e Putinit për të "mbyllur" luften duke marrë çdo territor të pushtuar deri më tani është e panegociueshme për ukrainasit.

Putin, megjithatë, do të ishte i përgatitur të bënte kompromis në terrenin që ka fituar dhe të 'ngrijë' konfliktin në vijën e frontit aktual të luftës.

“Putini do të thotë se ne fituam, se NATO-ja na sulmoi dhe se ne ruajtëm sovranitetin tonë, se ne kemi një korridor tokësor për në Krime, gjë që është e vërtetë”, tha një nga burimet.

Një 'ngrirje' e konfliktit sipas linjave aktuale do të rezultonte që Rusia të mbajë pjesë të konsiderueshme të katër rajoneve të Ukrainës, të cilat Putini i inkorporoi zyrtarisht në Rusi në shtator 2022, por pa kontroll të plotë në asnjë prej tyre. Një marrëveshje e tillë nuk do të arrinte qëllimet e vendosura nga vetë Moska në atë kohë, kur deklaroi se katër rajonet ukrainase - Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson - tani i përkisnin tërësisht asaj. Peskov tha se nuk mund të kishte asnjë rast të kthimit të katër rajoneve që tani janë pjesë e përhershme e Rusisë, sipas kushtetutës së vendit.

Një faktor tjetër që formëson pikëpamjen e shefit të Kremlinit për përfundimin e luftës është se sa më gjatë të zvarritet, aq më shumë ushtarë kthehen në Rusi, të pakënaqur me punën e tyre pas luftës dhe perspektivat e të ardhurave. Fakt që ka të ngjarë të krijojë tensione në shoqëri./ZËRI

Poll

MOS HUMB