
TIRANË- Policia Rrugore e Tiranës ka gjobitur me 40 mijë Lekë Ministren e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj. Shkak sipas policisë, është fakti se në makinën tip Benz ngjyrë e bardhë të sajën “përdorte fenelinat e policisë në mënyrë të paligjshme”. Në momentin e ndëshkimit, në drejtim të makinës ka qenë shoferi i ministres.
Po ashtu shoferit të Ibrahimajt i janë hequr 8 pikë nga patenta. Në mesin e personave të gjobitur nga policia është dhe sekretari i përgjithshëm i Kuvendit Genc Gjonçaj.
Policia e Shtetit, nëpërmjet një njoftimi, sqaroi se nuk do të tolerohet askush që përdor fenelinat dhe simbolet e policisë në mënyrë të pa autorizuar.
“Njoftim i Rëndësishëm! Sot kemi ndërmarrë masa të rrepta ndaj disa mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Në mesin e tyre janë edhe automjete të punonjësve të administratës shtetërore me imunitet.
Në videon tonë, mund të shihni se si këto mjete, përfshirë ato që përdorin fenelinat e policisë në mënyrë të paligjshme, janë trajtuar sipas ligjit. Kjo veprimtari është pjesë e angazhimit tonë për të siguruar një mjedis të sigurt rrugor për të gjithë. Nuk ka përjashtime kur bëhet fjalë për sigurinë rrugore!”, thuhet në njoftimin e policisë.
/Zëri.ai