
TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani ka zhvilluar një ditë më parë një takim informal me gazetarët ku ka folur në lidhje me dosjet që janë në hetim. Mes tyre foli edhe për hetimet që ka drejtuar vetë ai, e koduar si “Metamorfoza”.
Këtë të premte gazetari Elton Qyno shkruan se gjatë atij takimi ndër të tjera kreu i SPAK, ka deklaruar se një grup avokatësh, vendas dhe të huaj janë bërë bashkë për të rrëzuar përmes vendimeve të gjykatave, bisedat e zbërthyera të aplikacionit “Sky ECC”, ku shumë eksponentë të krimit të organizuar dhe zyrtarë dalin të implikuar në veprimtari kriminale. Këtë grup, Dumani e cilësoi si “sindikatë”.
Por pas deklaratës se tij ka ardhur dhe reagimi i parë. Avokati Ledion Braho ka reaguar në rrjetet e tij sociale, ku shkruan se deklarata është bërë me një konotacion negativ dhe se nuk është aspak etike.
Ai shprehet se vënia në dyshim e vlerave të materialeve që janë marrë si prova nga hetuesit, është procedurë normale që avokatët e bëjnë në seancën e hetimit paraprak, aq më tepër në kohën e teknologjisë.
POSTIMI:
Personalisht nuk perfaqesoj asnje person nen hetim qe eshte pjese e dosjeve te pergjimeve te platformes "Sky", por deklarata te tilla me konotacion negativ ndaj ndonje "sindikate avokatesh" te bera nga drejtuesi i SPAK nuk me duken aspak etike. Nje profesionist i se drejtes, qe supozohet se njeh dhe thelbin e ushtrimit te profesionit te avokatit, nuk mund te beje deklarata te tilla publike per kerkesa procedurale qe bejne nje apo me shume avokate. Kerkesa per paperdorshmerine e provave, eshte kerkese normale qe avokatet e bejne ne seancen e hetimit paraprak, aq me teper ne kohen e teknologjise. Nje perfaqesues i ketij niveli nuk mund te beje skup me profesionin e te tjereve...
Me urdhër të SPAK, për operacionin “Metamorfoza”, të arrestuar janë biznesmenë, ‘’koka’’ të botës së krimit dhe kryeprokurori i Kukësit. Por avokatët mbrojtës të tyre kanë dalë më pretendimin se të akuzuarit nuk kanë lidhje me ngjarjet kriminale në vend. Madje shtojnë se mund të jenë përsona të tjerë që kanë pasur aplikacionin Sky dhe që hiqeshin si klientët e tyre. Megjithatë deri më tani, në Europë dhe jo vetëm, janë kryer dhjetra operacione që kanë çmontuar grupe kriminale që komunikonin me njëri-tjetrin duke përdorur aplikacionin./Zëri